Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë duhet të lënë menjanë politikën ditore kur bëhet fjalë për raportet bilaterale midis tyre, të fokusojnë energjitë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të nënshkuara midis dy vendeve, si dhe të harmonizojnë agjendat shtetërore, duke u bazuar në interesin tonë kombëtar, tha të hënën Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla.
Gërvalla i theksoi këto aspekte gjatë takimit që zhvilloi me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi, me të cilin, përveç thellimit dhe forcimit të raporteve midis dy vendeve, diskutoi edhe për situatën aktuale me pandeminë, dhe në veçanti për zhvillimet politike në rajon.
“Duke u bazuar në historinë tonë të përbashkët, nuk është asgjë sekrete se Republika e Shqipërisë është partneri ynë kryesor strategjik në rajon, prandaj është shumë e natyrshme që edhe si klasë politike edhe si institucione të aplikojmë politika shtetërore që kanë për qëllim vullnetin e qytetarëve tanë”, tha drejtuesja e diplomacisë kosovare.
Republika e Kosovës aspiron të zhvillojë raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet që ajo kufizohet, tha ministrja Gërvalla, duke shtuar se bashkëpunimi ndër shqiptarë nuk e pengon këtë qasje, por përkundrazi, ofron më shumë paqe, siguri dhe prosperitet për gjithë rajonin.
Në këtë takim, ministrja Gërvalla falënderoi ambasadorin Minxhozi për kontributin që Republika e Shqipërisë ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat e bashkëpunimit, dhe në veçanti i shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar së fundmi me vaksinat anti-Covid për stafin shëndetësor të Republikës së Kosovës.
Ministrja Gërvalla dhe Ambasadori Minxhozi biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investimeve të ndërsjella, me synim gjenerimin e vendeve të reja të punës, në veçanti në fushën e turizmit.