Pavarësisht përpjekjeve e thirrjeve nga Berlini, në mbledhjen e 20 majit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që u mbajt në Torino të Italisë nuk u fut në rend dite aplikimi i Kosovës për anëtarësim. Kësisoj, Kosovës do t’i duhet që të pres deri në majin e vitit 2023, kur do të mblidhet përsëri Komiteti i Ministrave në Rekyavik të Islandës, për të bërë përpjekje që aplikimi të procedohet e të ecet me hapat tjerë të anëtarësimit.
Ndërkohë dje në Torino është shënuar edhe fundi i presidencës italiane me KiE, dhe tashmë Irlanda do të kryesojë presidencën e Këshillit të Evropës.
Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, e cila edhe ka dorëzuar ditë më parë aplikacionin për anëtarësim, ka uruar menjëherë Irlandën për marrjen e kryesimit të presidencës me Këshillin e Evropës, derisa ka thënë se mezi pret të vazhdojë bisedimet rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ne i dëshirojmë Irlandës një presidencë të suksesshme në Këshillin e Evropës. Ne presim që të vazhdojmë dialogun tonë rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Gërvalla.
Dje në mbledhjen e Komitetit të Ministrave në Torino, Kosova s’ka qenë fare pjesë e agjendës, e s’është përmendur në asnjë prej komunikatave e dokumenteve të lëshuara më pas në faqen zyrtare. Por ka pasur ministra të jashtëm të shteteve mike të Kosovës, që gjatë fjalës së tyre në këtë takim, e kanë përmendur çështjen e anëtarësimit të Kosovës dhe kanë kërkuar që Kosovës t’i hapen dyert e KiE-s.