Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz ka njoftuar sot se është takuar me asistenten speciale të Presidentit të SHBA-së dhe Drejtoreshën e Lartë për Evropën në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Amanda Sloat.
Kryediplomatja kosovare ka thënë se ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për agresionin e saj.
Përveç tjerash në takim kaën diskutuar edhe për nevojën urgjente për forcimin e aftësive vetëmbrojtëse të Kosovës, ku ministrja e Jashtme ka kërkuar mbështetje për anëtarësim të Kosovës në NATO.
“Takim i mirë me Amanda Sloat, Asistente Speciale e Presidentit dhe Drejtoreshë e Lartë për Evropën në NSC. U diskutua për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për agresionin e saj. Gjithashtu u trajtua nevoja urgjente për forcimin e aftësive vetëmbrojtëse të Kosovës dhe kërkova mbështetje për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Mirënjohës për mirëkuptimin dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA për Kosovën”, ka shkruar ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.