Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se është infektuar me covid-19 por është në gjendje të mirë pasi që është vaksinuar.
Gërvalla ka thënë se është në ditët e fundi të karantinimit dhe se është ‘shëndosh si molla”.
Ajo e ka mbajtur të fshehur infektimin me Covid derisa lajmi doli në medie.
Postimi i plotë i saj:
Të nderuar miq,
Të gjithë juve që më keni uruar shërim të shpejtë, ju falënderoj nga zemra.
Ndodhem tashmë në ditët e fundit të karantinës si pasojë e infektimit me Covid19 dhe jam shëndosh si molla, duke punuar çdo ditë me shumë vullnet për të përfunduar së paku një pjesë të punëve të shumta që na presin. Falë vaksinës së marrë, kam pasur fatin të mos ballafaqohem me komplikime të rënda.
Teknologjia bën të mundur kryerjen e shumicës së detyrave edhe nga distanca dhe prandaj edhe gjatë karantinës kam shfrytëzuar mundësinë për të zhvilluar ndër të tjera edhe biseda të shumta të rëndësishme me kolegë nga e gjithë bota, ndërkohë që jo më larg se mbrëmë kam pasur një bisedë tepër interesante dhe të frytshme me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit.
Sfidat e kësaj pandemie janë të mëdha dhe prekin shumë aspekte të jetës sonë. E rëndësishme të mos harrojmë në asnjë moment familjet, të cilat kanë humbur të dashurit e tyre apo ballafaqohen me komplikime të rënda të të afërmve të tyre dhe që kanë nevojë për solidaritetin dhe ndihmën tonë.
Duke u vaksinuar vet dhe duke ndihmuar edhe në vaksinimin e miqve dhe të afërmve tanë, secili prej nesh mund të japë një kontribut të vlefshëm në kapërcimin e kësaj sfide, e cila ka përfshirë gjithë botën dhe si pjesë të kësaj bote edhe Kosovën.
Faleminderit shumë edhe një herë për kujdesin e treguar dhe shihemi javën e ardhshme.