Deputetja e zgjedhur nga Lista Guxo, Donika Gërvalla, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk i ka quajtur hajvanë deputetët, por vetëm një person, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se fjala “hajvan” që qe përmendur nga kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, ditën e zgjedhjeve parlamentare, është keqinterpretuar. Më 10 shkurt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Kurti pati përdorur termin “hajvan” ndaj opozitës.
Gërvalla ka thënë se Kurti nuk i është drejtuar deputetëve, por “hajvan” i ka thënë një personi – atij që premtimet ia tejkalonin buxhetin e shtetit në tërësi.
“Votë kemi kërkuar nga qytetari dhe askush nuk i ka quajtur deputetët hajvanë. Kjo gjuhë që përdoret për të përgjithësuar dhe për të mos i kushtuar rëndësi detajeve krijon një qasje refuzuese ndaj mediave. Askush nuk i ka quajtur deputetët hajvanë, është quajtur një person që ka bërë premtime që tejkalonin shumën jo vetëm të buxhetit të shtetit por gjithë GDP-së. Në atë kontekst është përdorur”, ka thënë Gërvalla.
Këtë deklaratë, Gërvalla e bëri pas dështimit të dhjetë të seancës konstituive, raporton EO.
