Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka adresuar edhe njëherë çështjen e ambasadorit shqiptar në Kroaci, Martin Berishajt, i cili akuzohej për përfshirje në një skandal financiar në këtë vend.
Ajo në konferencë për medie me homologun e saj nga Kroacia, Gordan Grlic-Radman, tha se ambasadori Berishaj i ka thënë ato që ka pasur për t’i thënë në Komisionin Parlamentar, raporton Ekonomia Online.
Ajo shtoi se ata të cilët po vazhdojnë me akuza ndaj Berishajt, është koha të vijnë me fakte, dhe jo vetëm të flasin bazuar mbi supozime.
Gërvalla tha se nuk po arrin ta kuptojë se si personat që i kanë miratuar përgjigjet e tij me tundje koke, tash dalin kundër.
“Në marrëveshje edhe me ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori Berishaj i ka dhënë përgjigjet e tij në komisionin parlamentar ku është dashur të japë deklaratën e tij, e kam ndjekur me shumë vëmendje atë seancë të komisionit parlamentar, e kam parë që asnjë pyetje nuk ka mbetur pa përgjigje në atë seancë të komisonit parlamentar, edhe e kam parë miratimin e anëtarëve të komisionit të deklaratave të ambasadorit Berishaj gjatë asaj seance dhe prandaj më habit shumë fakti që pa pritur e pa kujtuar muaj më vonë, të njëjtit persona që kanë qenë të pranishëmn në atë seancë dhe që kanë pohuar dhe tundur kokën për secilën prej deklaratave të ambasadorit Berishaj më pas dalin dhe deklarojnë diçka krejt tjetër për një seancë të cilën e kemi parë të gjithë publikisht”, ka thënë Gërvalla në konferencë për media.
“Unë nuk besoj që ambasadori Berishaj e ka problem t’u japë përgjigje mediave tona me siguri në një moment kur do të ketë më pak angazhime bilaterale, do t’ju thërrasim një ditë dhe do t’ju qëndrojmë të dy, pyetje-përgjigje pa asnjë lloj problemi, pa asnjë lloj refuzimi”.
“Por mendoj që ka ardhur një moment kur të gjithë ata që e vazhdojnë fushatën do të duhej ta pyesnin veten, a thua a vazhdohet fushata vetëm në bazë të supozimeve apo ka kaluar aq kohë sa në ndërkohë do të duhen faktet në tavolinë para se të vazhdojmë me fushata, me kampanja politike ndaj personave të caktuar?”.
LEXONI EDHE: