Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka falënderuar edhe opozitën për punën e bërë drejt votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, megjithatë, i ka quajtur “lot krokodili”, shqetësimet e tyre për Raportin e DASh-it, raporton Ekonomia Online.
Në Kuvendin e Kosovës, ajo të enjten fillimisht tha merita punën e bërë drejt votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kanë të gjitha partitë, megjithatë, ka lënë të kuptohet se votimi kryesor mund të bëhet në një moment tjetër, e jo në maj.
“Falënderimi i drejtohet edhe të gjithë delegacionit të Kuvendit të Kosovës, më lejoni t’i përmend t’i falënderoj me emër një nga një. Arben Gashi i LDK-së, Enis Garvan i grupit të deputetëve, Ariana Shsohi – Musliu e PDK-së, dhe Besnik Tahiri i AAK-së, ju falënderoj për bashkëpunimin e mirë, të frytshëm dhe përkushtimin tuaj për realizimin e këtij përkushtimi kaq të rëndësishëm”, deklaroi Gërvalla.
Gërvalla tutje u shpreh se mbetet punë, “ndoshta për në maj, ndoshta për një moment tjetër”.
“Mbetet ende punë për të bërë, ndoshta deri në maj, por ndoshta edhe në një moment tjetër, e rëndësishme është që vota prej 82 për qind është konfirmim i fuqishëm që Kosova është një shtet me demokraci të konsoliduar”, u shpreh Gërvalla.
E për shqetësimet e opozitës rreth Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Dërvalla i quajti “lot të krokodilit”.
“Desha t’i themë edhe dy fjali edhe rreth lotëve të krokodilit lidhur me Departamentin Amerikan të Shtetit, mirëpo do t’i lë për seancën ku do ta diskutojmë më gjerësisht këtë temë”, ka thënë Gërvalla.