Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk sheh asnjë sinjal që mund të ketë ndryshime lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, qoftë nga Republikanët apo Demokratët, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën për media të mbajtur me homologun e saj nga Luksemburgu, Xavier Bettel, Gërvalla ka thënë se miqësia e Kosovës me SHBA-në nuk ndikohet nga zgjedhjet e së nesërmes atje.
Ndërsa për dialogun me Serbinë, ajo ka thënë se nën udhëheqësinë e Miroslav Lajçakut, nuk ka pasur rezultate të dëshiruara.
“Si Republikë e Kosovës që përbën popullin në pro-amerikan në botë, jemi me fat që në SHBA kemi pasur mbështetjen e të dyja kampeve, si ai Demokrat edhe kampi Republikan. Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës. Miqësia me Amerikën nuk forcohet me fjalë, por me punë. Sa i përket dialogut, shpesh kemi paralajmëruar që dialogu i udhëhequr nga Miroslav Lajçak nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara, prandaj shpresoj shumë se komisioni i ardhshëm të fillojë punën sa më shpejt”, ka thënë ajo.