Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz e ftuar në emisionin ”Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, duke komentuar tensionet e krijuara në veri, deklaroi se Serbia nuk e ka dëshirën e mirë për t’i zgjidhur çështjet me dialog.
Sipas zv.kryeministres Gërvalla, Serbia shkakton konflikte artificiale, sikurse ishte çështja e targave, dhe i çon më pas në konflikte reale, ashtu sikurse ndodhi me barrikadat në veri të Kosovës.
Gërvalla theksoi se nuk ka forcë që e shantazhin Kosovën, ndërsa shprehu bindjen se beteja e ardhshme do ketë si rezultat përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit. Për Gërvallën, dialogu Kosovë-Serbi nuk ecën përpara pa njohjen reciproke.
“Raportet me Serbinë t’i ndërtojmë mbi baza parimore. Serbia nuk ka konsensus t’i zgjidhë me dialog, përveç njohjes së ndërsjellët që do i hapte rrugë rajonit për një bashkëpunim më të thellë mes shteteve tona. Serbia shkakton konflikte artificiale, siç ishte konflikti rreth targave, dhe i çon në konflikte reale, sikurse janë barrikadat. Nuk ka forcë që e shantazhon Kosovën. E dimë që s’është e lehtë, por është betejë që do të ketë si rezultat që marrëdhëniet mes rajonit të jenë më të mira se në 2021″, ka theksuar Gërvalla.
Ajo tutje ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke thënë se një asociacion i tillë ka vdekur.
“Ka pasur një marrëveshje në 2013 që u korrigjua në 2015. Asociacioni ka vdekur kur Gjykata Kushtetuese ka thënë se bie ndesh me 23 nene. Nuk është legjitime për qeverinë tonë që të ofrojnë koncepte që bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Kryeministri Kurti ka paraqitur në Bruksel një plan me 6 pika, një prej të cilave ka të bëjë me pakicat kombëtare. Do donim që në të gjithë vendete rajonit tu siguronin qytetarëve të pakicave sikurse ua mundësojmë ne në Kosovë. Asociacioni nuk mund të ndodhë në Kosovë por do ulemi të bisedojmë për zgjidhje për pakicat e komunitetit”, ka shtuar Gërvalla.
Pranimi i Kosovës si aktor i barabartë në skenën ndërkombëtare, është një prej sfidave të reja. Gërvalla theksoi se, një prej fokuseve kryesore është njohja e Kosovës nga shtetet që nuk e njohin.
“2022 shënon kthesë në politikën e jashtme dhe të brendshme. Zgjedhjet e 2021, ku doli një strukturë politike e qëndrueshme, me vullnet, ndërsa 2022 shënon kthesën për të dalë nga status quo-ja, Kosova të pranojë që s’është aktor i barabartë në skenën ndërkombëtare, këtë duam ta ndryshojmë. Mos aftësia e Serbisë për të mos pranuar realitetet në Ballkan. Do vazhdojmë punën me intensitet për anëtarësimin në organizata të reja ndërkombëtare, njohja nga shtete që s’e ka njohur Kosovën. Hapa që kërkojnë përkushtim, guxim dhe koordinim me aktorët ndërkombëtarë”, ka nënvizuar Gërvalla.