Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, beson që këtë vit Kosova mund të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Në Forumin e Dubrovnikut, ajo ka thënë se Kosova e meriton një gjë të tillë dhe i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim.
“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar qartë, me 82 për qind të të gjithave votave, kanë votuar në favor të anëtarësimit të Kosovës, për t’ua dhënë opinionin Këshillit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën. Derisa kanë deklaruar se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet. Këtu jemi në moment”, ka thënë ai.
Ajo ka treguar që Kosova është duke lobuar për ta thirrur këtë një takim urgjent të Këshillit të Ministrave të KiE-së.
“Po punojmë shumë me ministra, kryeqytete e ambasadorë – po vij nga Strasburgu, që të shpresojmë që këtë vit të bëhemi pjesë e KiE-së. Por, kurdo që të ndodhë, është e qartë që Kosova në prill të vitit 2024 ka përmbushur të gjitha kërkesat, çdo gjë tjetër është politikë.”, është shprehur ajo, duke u shprehur optimiste për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Për ne ishte e rëndësishme ta arrijmë, që standardet më të larta të demokracisë, të drejtave të njeriut, janë në vendin tonë. Kam shumë shpresë që shumë shpejt do të kemi sukses”, ka thënë Gërvalla. (Nacionale)