Sot me fillim nga ora 16:00 sipas kohës tonë lokale, do të mbahet seanca e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të diskutohet për raportin gjashtëmujor i sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, për punën e UNMIK-ut në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka konfirmuar se Donika Gërvalla do të përfaqësojë Kosovën në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë për të cilën Klankosova.tv kishte raportuar me anë të burimeve dje gjatë ditës.
Sipas MPJD-së, Gërvalla është nisur për në New York.
“Gjatë kësaj seance, Ministrja Gërvalla do të shpalosë arritjet e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë procesin e demokratizimit, zhvillimin ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe situatën aktuale në komunat veriore të Republikës së Kosovës”.
“Gjithashtu, Ministrja Gërvalla do të flasë edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe sfidat që ato paraqesin për paqen dhe stabilitetin në rajon. Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet të mërkurën, më 30 tetor, duke filluar nga ora 16:00 sipas orës lokale të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sa i përketë raportit të publikuar, përqendrimi është te pjesa veriore e vendit dhe situatës së sigurisë atje, ku Guterres thotë se “atmosfera në Kosovën veriore mbetet e tensionuar dhe potenciali për përshkallëzim vazhdon”.
Ai u ka bërë thirrje palëve të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.
Shefi i OKB-së ka kritikuar edhe, siç thuhet, “veprimet e njëanshme”, ndër të cilat përmend mbylljen e institucioneve të financuara nga Serbia dhe hapat drejt rihapjes së urës së Mitrovicës, si dhe kufizimet ndaj mallrave serbe dhe zbatimi i rregullores së re për përdorim të valutave.
Këto veprime, Guterres thotë se “rrisin tensionet dhe gërryejnë besimin midis komuniteteve dhe midis komuniteteve dhe institucioneve”.
“Veprime të tilla jo vetëm që prishin jetën e përditshme dhe të drejtat socio-ekonomike të të prekurve, por gjithashtu rrezikojnë përparimin dhe stabilitetin kolektiv që janë thelbësore për një të ardhme paqësore dhe të begatë të përbashkët nga të gjithë”, ka thënë Guterres në këtë raport, mes tjerash.