Gërvalla takon ministrin për Evropë të Francës: Në fokus integrimi euro-atlantik dhe bashkëpunimi ekonomik

Prishtinë | 01 Nën 2024 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Mbështetja e Francës për Kosovën në rrugën e anëtarësimit euro-atlantik, përkushtimi i përbashkët për paqe dhe stabilitet në rajon dhe Evropë, si dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve ishin temat kryesore të diskutimit në takimin mes Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, dhe Ministrit për Evropë të Francës, Benjamin Haddad, të mbajtur në margjinat e Konferencës Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën në Montreal, Kanada.

Ministrja Gërvalla vlerësoi lart mbështetjen e Francës për Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe kërkoi mbështetje të vazhdueshme për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke theksuar se integrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike është një proces i natyrshëm që pasqyron orientimin strategjik të Kosovës dhe aspiratat e qytetarëve të saj.

Gërvalla dhe Ministri Haddad gjithashtu biseduan për bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, kulturës dhe arsimit, duke rikonfirmuar angazhimin e Kosovës për të forcuar lidhjet me Francën dhe për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë.

Të ngjashme