Gërvalla udhëton për në Kroaci për Forumin e Dubrovnikut, vjet prej aty i ishte referuar BE-së si “Tigër prej letre”

Prishtinë | 29 Qer 2024 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Kroaci për të marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut, me ftesë të homologut të saj, Gordan Grliç-Radman. Gërvalla kishte marrë pjesë edhe vjet në këtë forum, ku kishte nxitur reagime të shumta me deklaratën ku i ishte referuar Bashkimit Evropian si “Tigër prej letre”.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashthme thuhet se Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sfidave të paqes dhe stabilitetit në Evropë “si dhe do të ndajë përvojën e Republikës së Kosovës me proceset e integrimeve euroatlantike dhe reformat e thella në sundimin e ligjit, ngritjen e standarteve të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik”.

Në margjina të këtij Forumi, Gërvalla do të zhvillojë edhe takime bilaterale me ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse.

Gërvalla kishte marrë pjesë edhe vjet në këtë forum, ku kishte nxitur reagime të shumta me deklaratën ku i ishte referuar Bashkimit Evropian si “Tigër prej letre”, term që i referohet diçkaje ose dikujt që pretendon të jetë i fuqishëm ose kërcënues, e që në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës.

“Pyetja kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”, kishte thënë Gërvalla.

Shprehja u bë e njohur si slogan i përdorur nga Mao Ce Duni, ish-kryetar i Partisë Komuniste Kineze dhe udhëheqës kryesor i Kinës, kundër kundërshtarëve të tij politikë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara.

Si kundërpëgjigje ndaj deklaratës së Gërvallës, Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë Bashkimi Evropian është ëndërr për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Mund të them që BE-ja është larg të qenit e përkryer, por megjithëkëtë është më e mira që e kemi. Është bashkimi më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka tjetër bashkësi të shteteve në këtë planet që ka sjellë stabilitet më të madh politik, prosporitet ekonomik, dhe respektim të të drejtave të njeriut…Mendoj që anëtarësimi në BE është arritje e ëndrrave të vendeve, të cilat janë duke trokitur në ëndrrën evropiane”, kishte thënë Lajçak.

Gërvallës i ishte kundërpërgjigjur edhe ish-Emisari i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili kishte thënë se gjithçka pozitive që ka ndodhur në gjeneratën e fundit ka qenë nga bashkëpunimi amerikano-evropian.

Forumi i Dubrovnikut është konferencë e përvitshme që mbledh ministra dhe figura të larta politike nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar çështjet aktuale në agjendën politike globale.

Të ngjashme