Gërvalla: Zyrtarët korrektues duhet të garantojnë siguri, ligjshmëri dhe trajtim njerëzor

Prishtinë | 14 Gus 2026 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), ku tha se dinjiteti njerëzor duhet të respektohet në çdo rrethanë, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit të zyrtarëve korrektues, raporton Ekonomia Online.

“Dinjiteti njerëzor të respektohet në çdo rrethanë. Dhe ky në fakt është edhe thelbi i detyrës suaj nga nesër e tutje. Puna e një zyrtari korrektues kërkon disiplinë, kërkon vendosmëri, po aq sa kërkon maturi, vetëpërmbajtje dhe gjykim të shpejtë dhe të drejtë. Do të përballeni me situata të vështira. Do t’ju duhet të merrni vendime nën presion dhe të ushtroni autoritet në rrethana në të cilat kufiri mes vendosmërisë dhe teprimit duhet të jetë gjithmonë i qartë. Pikërisht këtu do ta dëshmoni profesionalizmin tuaj”, tha Gërvalla.

Ajo tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është pjesë thelbësore e sistemit të drejtësisë.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës është pjesë thelbësore e sistemit të drejtësisë, sepse drejtësia nuk përfundon me shqiptimin e një vendimi gjyqësor, ajo dëshmohet edhe në mënyrën se si zbatohet ai vendim. Se shteti ligjor në Republikën tonë duhet të jetë i drejtë kudo: në gjykatë, në administratë, por edhe pas dyerve të mbyllura të një institucioni korrektues. Personi që vuan një dënim vërtet e ka humbur lirinë për një kohë të caktuar, por ai nuk e ka humbur dinjitetin e tij dhe as të drejtat që ja garanton ligji”, u shpreh ajo.

Gërvalla theksoi se detyra e zyrtarëve korrektues nuk lidhet vetëm me ruajtjen e rendit, por edhe me garantimin e sigurisë, ligjshmërisë dhe trajtimit njerëzor.

“Prandaj, detyra juaj nuk është vetëm të ruani rendin, është të bëni të mundur që siguria, ligjshmëria dhe trajtimi njerëzor të bashkëjetojnë çdo ditë në institucionet tona korrektuese. Në të njëjtën kohë, një sistem korrektues modern nuk mund të mjaftohet vetëm me ekzekutimin e dënimit. Ai duhet të krijojë kushte që një person, pas përfundimit të dënimit, të ketë mundësi reale për rehabilitim dhe rikthim në shoqëri. Dhe në këtë proces, roli juaj është i pazëvendësueshëm”, tha Gërvalla.

Ajo u shpreh se pjesa më e madhe e punës së zyrtarëve korrektues zhvillohet larg syrit të publikut, por kjo nuk e bën atë më pak të rëndësishme.

“Pjesa më e madhe e kësaj pune do të zhvillohet larg syrit të publikut. Mirëpo puna që nuk shihet nuk është më pak e rëndësishme. Përkundrazi, integriteti dëshmohet më së shumti atëherë kur kërkush nuk po ju vëzhgon dhe kur vendimin e drejtë duhet ta merrni sepse e dini që është thjesht i drejtë”, deklaroi ajo.

Gërvalla tha se trajnimi i përfunduar nga kadetët përbën bazën profesionale për fillimin e punës në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“Trajnimi që përfundoni sot ju ka dhënë bazën profesionale për të hyrë në këtë shërbim. Nga nesër, ajo bazë duhet të pasurohet me përvojë, me mësim të vazhdueshëm dhe me gatishmërinë për të kërkuar gjithmonë standardë më të lartë nga vetvetja”, përfundoi Gërvalla.

Të ngjashme