Sulmuesi i Parmas, Gervinho, ka treguar tri fjalë në të cilat bazohet stili i tij i lojës: shpejtësi, fantazi dhe instinkt.
31-vjeçari nga Bregu i Fildishtë vikendin e shkuar ka shënuar njërin prej golave më të mirë në ligat evropiane ndaj Cagliarit, ndeshje të cilën Parma e fitoi me rezultatin 2:0.
Gervinho mori një top jashtë zonës së Parmës, vrapoi rreth 80 metra, duke kaluar tre kundërshtarë përpara se të futej në zonën e Cagliarit dhe të shënonte gol.
Ndodhi kjo në minutën e 47-të dhe me golin e Gervinhos u vulos fitorja ndaj Cagliarit. Për Parman kjo ishte fitorja e dytë rresht pas asaj ndaj Interit, duke e ngritur në pozitën e nëntë me shtatë pikë të tubuara pas pesë xhirove.