Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për Ekonomia Online se Kosova ka humbur shumë nga moszbatimi i Marrëveshjes së Washingtonit, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardha katër vite më parë.
Gërxhaliu ka thënë se nga kjo marrëveshje, Kosova do të kishte përfituar në aspektin infrastrukturor, energjetik dhe sektori privat. Ai ka përmendur edhe suksesin që ka arritur Kosova në aspektin diplomatik nga kjo marrëveshje, siç ishte njohja nga Izraeli.
“Unë besoj që një ndër ndodhitë më me rëndësi që e ka përcjell Kosovën pas shpalljes së pavarësisë ka qenë marrëveshja e Uashingtonit, një marrëveshje e cila ka rëndësi multidimensionale është e rëndësisë strategjike ekonomike dhe rajonale mbi të gjitha është e rëndësisë diplomatike nga vetë fakti që një takim i tillë është mbajtur në sallën ovale të presidentit Trump dhe në të njëjtën kohë është komunikuar me kryeministrin e Izraelit ku edhe është pranuar Kosova në aspektin diplomatik dhe politik nga Izraeli falë marrëveshjes të së cilës sot kemi ambasadorë dhe Ambasada qoftë në Izrael dhe në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu, teksa shton se dëmi është i madh që kjo marrëveshje ka mbetur vetëm në letër.
Ai madje, shtoi se kanë humbur qindra miliona investime në termocentralin me gaz, në hekurudhë e autostrada.
“Dështimi më i madh që e ka përcjell Kosovën është mos realizimi i marrëveshjes së Uashingtonit, një marrëveshje që në veti ka pasur një rëndësi strategjike për krejt Ballkanin perëndimor dhe jo vetëm për Kosovën, një marrëveshje që prioritet e ka pasur infrastrukturën, energjetikën telekomunikacionin, sektorin privat në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe shumë fushat të tjera të cilat janë me rëndësi të pa kontestuar për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të Ballkanit perëndimor dhe vetë fakti që nga garanca e implementimit të gjitha këtyre projekteve kanë qenë institucionet financiare kredibile amerikane, është një dëshmi që e fuqizon këtë marrëveshje por mëkati më i madh ka qenë që kjo marrëveshje ka mbet vetëm në letër dhe nuk është zbatuar”.
“Nuk mund të arrihet një mundësi e tillë që përmes një marrëveshje të kemi stabilitet politik, Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe kjo marrëveshje i ka mundësuar, dhe janë katër vite të humbura dhe sa më tepër ka kaluar koha Kosova ka qenë gjithmonë në disavantazh falë Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor. Parashikimi i ndërtimit hekurudhës, lidhjes së Malit të Zi me Shqipërinë, Maqedoninë me Kosovën”, ka thënë tutje ai.
Gërxhaliu ka thënë se vendi humbi mundësinë e fuqizimit të jashtëzakonshëm ekonomik dhe besueshmërinë me aleatin kryesor.
“Vetëm atëherë kur Amerika ka prezencë të fuqishme në Serbi, Kosova është e sigurt dhe besoj që Kosova nga mosrealizimi apo moszbatimi i kësaj marrëveshje, ka dalë humbësja më e madhe. Sot jemi në një pikë kritike kur raportet me shtetet evropiane është vërtetë në një situatë jo shumë lakmueshme, dialogu dhe partneriteti me ShBA-në është po ashtu në një stad jo të kënaqshëm dhe vet fakti që sot Kosova është e kapluar nga një agjendë politike e cila shumë më tepër zgjon debat dhe diskurs publik se sa substancë për të zgjidh problemet, besoj janë dëme që do ta përcjellin Kosovën në të ardhmen”, u shpreh ai.