Në muajt e parë të vitit 2021 Kosova hyri në një valë të inflacionit që do ta godiste ekonominë e vendit me ngritje enorme të cmimeve.
Bazuar në të dhënat që Expose ka paraqitur në pjesën e parë të dokumentarit për inflacionin në Kosovë, vlera e shprehjes së tij në përqindje deri në muajin shtator ishte 4.9%, që nënkupton rritjen më të madhe të inflacionit në dekadën e fundit.
Inflacioni është një term që tregon rritjen e përgjithshme të ofertës monetare në një ekonomi të caktuar.
Një nga efektet që mund të shoqërojë inflacionin është edhe rritja e çmimeve në treg, gjë që tani po konsiderohen si më të lartat në historinë e pasluftës.
E njëjta është evidentuar edhe në të dhënat e e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që janë paraqitur në pjesën e parë të këtij dokumentari, ku është shpjeguar në detaje nga akterët, arsyeja e ngritjes së cmimeve, dhe ajo cfarë e pret vendin në rast të mos veprimit nga shteti.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha për dokumentarin Expose, se vendi ynë tashmë është në krizë .
Gërxhaliu tha se duhet të ketë pako mbështetëse për qytetarët.
“Dua të besoj se do të jetë një dimër i ftohtë por pranvera me ulje të shpenzimeve të energjisë do të krijoj rënië cmimeve, por kjo duhet të bëhet edhe me një pako mbështetese. Nuk duhet të humbet kohë, për të bindur qytetarët se nuk janë në krizë, Kosova ka hyrë në krizë duke qenë në krizë dhe ne jemi në krizë” tha Gërxhaliu për dokumentarin Expose