Mosliberalizmi i vizave po ndikon negativisht në zhvillimin e bizneseve në Kosovë, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një konferencë për medie.
Gërxhaliu tha se si rezultat i mungesës së lirisë së lëvizjeve, bizneset po detyrohen të gjejnë zgjidhje të tjera, duke shtuar se politikanët në Kosovë nuk e kanë hallin e vizave sepse posedojnë pasaportën diplomatike ose nënshtetësi të rajonit, raporton Ekonomia Online.
“Në OEK çdo ditë e më tepër kemi ankesa të komunitetit të biznesit sa i përket vizave. Afër 39% e bizneseve kanë përjetuar zvogëlim të aspekteve konkurruese. 38% e bizneseve kanë rënie të eksporteve. Koston e mosliberalizimit është duke e bartur sektori privat”.
“Shumë politikanë në Kosovë nuk e kanë hallin e vizave sepse pjesa e tyre e posedojnë ose pasaportën diplomatike ose nënshtetësi të rajonit. Por brengën e kemi për komunitetin e biznesit”.
Ai ka bërë apel tek ambasadat e BE-së të akredituara në Kosovë që të kenë një trajtim të posaçëm për komunitetin e biznesit sa i përket dhënies së vizave, meqenëse me problemin në rritje ,i krijuar në veçanti në dy vitet e fundit sa i takon aspektit të vizave, as marrëveshjet më të rëndësishme ndërkombëtare nuk kanë pasur efektin e pritur.
“Shumë biznese do të bëhen të detyruara të blejnë nënshtetësi të vendeve të rajonit. Besoj që ashtë një degradim që Kosovën po e dëmton në faza të shumta. Apeloj tek faktori ndërkombëtar, tek administratat e huaja të jenë mbështetës të zhvillimit ekonomik në Kosovë”.
Suad Qafëleshi përfaqësues i kompanisë “Tosa” kërkoi që bizneset të ndihmohen në këtë aspekt. Në të kundërtën siç tha si do të detyrohen të mbyllin bizneset, raporton EO.
“Jemi duke aplikuar në ambasadën austriake për vizë dhe është duke na refuzuar çdoherë. Nuk na marrin parasysh. Kemi bërë ankesa edhe me avokatë por nuk janë marrë parasysh nga ana e ambasadës austriake”.
“Kompania jonë prej 12 vozitësve ka mbetë në 2 vozitës. Bëj apel për ndihmë se s’po mundemi me e vazhdu biznesin”.