Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër për të miratuar në lexim të parë projektligjin për buxhetin e vitit 2022.
Buxhetin 2.7 miliardësh eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, e sheh më shumë të natyrës sociale, se sa zhvillimore.
“Raporti në mes të pozitës, opozitës dhe shoqërisë civile nuk është në nivelin e duhur dhe çka do që do të ofrohet si zgjidhje sa i përket buxhetit do të kundërshtohet dhe do ketë debate pro dhe kundër, por ky është një buxhet pas pandemik, një buxhet i cili shumë më tepër është i natyrës sociale se sa i natyrës zhvillimore. Dhe fakti që e kemi një rritje prej 15% të paraparë dhe kjo rritje vjen si pasoj e rritjes së çmimeve në tregun global dhe rritje të importit në Kosovë, përcillet me inflacion 5.9% dhe kam dronë që ky inflacion është rreziku më i madh që do ta degradoj vlerën e rritjes së buxhetit për vitin 2022”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.
Ai beson se nesër buxheti do të kalojë në parlamentin e Kosovës.
Por, sipas tij, ky buxhet nuk ka projekte madhore në infrastrukturë, nuk ka projekte të mëdha të cilat mund të aprovojnë buxhet.
“Unë mendoj që ka tkurrje sa i përket investimeve në projekte kapitale ku kish qenë e mundur të kemi involvime në sektorin privat, sepse ai është gjeneruesi më i madh i buxhetit, prandaj besoj që përveç komponentës sociale duhet të ketë një komponentë tjetër që ta forcoj sektorin privat sepse gjenerohet një stabilitet ekonomik”, thotë Gërxhaliu.
Gerxhaliu për “Gazeta Blic”, thotë se për shkak të pandemisë Kosova ka hyrë në një krizë ekonomike, për çka i bënë thirrje institucioneve që buxheti të shfrytëzohet me përgjegjësi.
“Ne kemi paralajmërua që bota do të ballafaqohet me një pandemi ekonomike dhe Kosova ka qenë ndër shtetet më pak të përgatitura për këtë pandemi sepse Kosova ka hy krizë më krizë po ky është realiteti momental në këtë buxhet. Besoj duhet të kemi fleksibilitet dhe këtë buxhet ta shfrytëzojmë me përgjegjësi institucionale dhe individuale dhe të mos përsëritet e kaluara ku keqpërdorimet kanë qenë në nivel trishtues”, thotë ai.
Ndërkohë sindikatat kanë paralajmëruar greva nëse nuk parashihet rritja e pagave. SBASHK-u është më i zëshmi, duke paralajmëruar edhe bllokim të procesit mësimor nëse nuk do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit.