Epidemiologia Dafina Gexha-Bunjaku ka rrëfyer për KTV-në kohën kur ajo dhe familja e saj ishin të prekur nga koronavirusi dhe momentet e vështira duke u përballur me simptomat dhe pasojat.
Gexha-Bunjaku ka thënë se ajo, së bashku me vajzën, bashkëshortin dhe nënën, ishin prekur nga COVID-19. Këta dy të fundit ishin shtrirë në spitalin e Infektives për shkak të gjendjes së rënduar.
“Në muajin nëntor u rritën rastet pozitive dhe të vdekjeve. Që nga momenti kur një person i familjes rezultoi pozitiv, jemi karantinuar si familje. Isha në gjendje të punoja edhe nga shtëpia, ishte një javë e lehtë. Ashtu si në literaturë dhe në përvojën e njerëzve, kishim shumëllojshmëri të simptomave. Pjesa më e vështirë është java e dytë e sëmundjes. Në ditën e 9-të të infeksionit është ballafaquar me mungesë e frymëmarrjes dhe kollitje të pandërprerë. Kishte marrë terapinë, por e keqja e këtij virusi është që s’ka trajtim specifik”, ka thënë Gexha-Bunjaku.
Ajo ka deklaruar se koronavirusi padyshim që ekziston, është dinak dhe përpos që mund të shkaktojë vdekje, te disa pacientë mund të lë pasoja për një kohë të gjatë.
“Vazhdojmë të kemi disa simptoma, si te nëna, kemi një lodhje të vazhdueshme. Më kryesorja është se simptomat kanë qenë të qarta. Virusi është dinak, tinëzar, ekziston, përpos që shkakton vdekje, po lë pasoja për një kohë të gjatë”.
Duke kryer punën si epidemiologe, Gexha-Bunjaku ka thënë se që nga korriku i 2020-s, kanë punuar pa asnjë ditë pushim, duke u dalë në ndihmë qytetarëve që kërkonin trajtim për shkak të simptomave të koronavirusit.
Ajo ka shtuar se viti 2020 do trajtohet si viti më tragjik në mbarë njerëzimin pasi që është “gjenerata e parë e gjallë që po ballafaqohet me një pandemi të tillë globale.
“Vaksina është zbulimi më i madh i vitit 2020. Ajo është masa parandaluese më e mirë ndaj koronavirusit. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta marrin vaksinën anti-COVID, për eliminim të virusit dhe mbrojtje të popullatës”.