Gexha-Bunjaku thotë se buxheti për ministrinë e Shëndetësisë është më i madhi, opozita me kritika

Prishtinë | 01 Dhj 2022 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka shqyrtuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, për fushat që janë në fushëveprim të Komisionit, raporton Ekonomia Online.

Ministrja në detyrë e Shëndetësisë Dafina Gexha Bunjaku tha se buxheti i ndarë për vitin 2023 është buxheti më i madh i ndarë për këtë ministri për mbi 290 milionë euro.

“Buxheti i ndarë për MSh për vitin 2023 është 296 milionë euro me i lartë më shëndetësi. Objektivat rritja e cilësisë së shërbimeve, përcjellja dhe inspektimi i barnave, shtimi i shërbimeve, shtimi i pajisjeve mjekësorë, burimeve njerëzore. Shtimin edhe të 100 pozitave të reja për sektorët deficitar. Do të shtohen edhe 42 inspektor”, tha ajo.

Edhe përfaqësuesi i bordit i ShSKUKS-së, Enver Gashi tha se buxheti për këtë institucion është më i madhi që kanë pasur ndonjëherë, duke shtuar se veç për projekti i kanë 6 milionë euro.

“Për vitin 2023 kemi buxhetin më të madh me 139 milionë euro, projektet kapitale i kemi në ngritje ku kemi 6 milionë euro më shumë se sa vitet e kaluar. 4 vitet e fundit nuk kemi pasur numra shtesë për punëtor, tash kemi edhe 100 punëtor shtesë për Spitalin e Podujevës që do të funksionalizohet”, tha ai.

Drejtoresh në detyrë e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi tha se këtë vit janë ndarë 10 milionë euro më tepër për listën e barnave esenciale.

Ajo ka shtuar se vitit tjetër klinikat do të pajisen me aparatura moderne.

“Një tjetër shumë më rëndësi është ndarja e buxhetit për pajisje. Përveç kësaj do të vazhdojmë më modernizimin, jam shumë e lumtur se në 2023 do të vijnë pajisje super moderne që janë investuar nga MSh-ja, kemi menduar edhe për investime edhe për spitale rajonale”, tha ajo.

Ajo ka sqaruar se në Kosovë pritet që jenë në funksion 5 rezonanca magnetike, por thotë se problem është trajnimi i stafit.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dereshja tha se mbi 190 mjek kanë ikur këtë vit nga Kosova kurse 360 mjekë janë të papunë.

“Vërtet kur e dëgjon këtë prezantim krejt është në dëshirore, kemi shumë probleme të identifikuar që fare nuk përmenden, kjo nuk është e çuditshme kur ende nuk kemi ministër të Shëndetësisë, shkaku kryesor që mjekët janë larguar nga spitalet publike në ato private dhe ata që janë larguar nga vendi është problemi me pagat”.

“191 mjek kanë ikur sivjet, mbi 360 mjekë janë të pa punë”, tha ai.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu tha se MSh-ja është duke bërë propagandë në lidhje me rritjen e buxhetit për këtë ministri.

“Në këtë komision qe 6 muaj nuk ka ministër te shëndetësisë që raporton në këtë Komision”.

Të ngjashme