Gëzim Tushi: Jemi shoqëri në depresion. Ja shkaqet e kësaj gjendjeje

Prishtinë | 12 Shk 2019 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Sociologu Gëzim Tushi, i ftuar në emisionin “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja, deklaroi se shoqëria shqiptare po ndjen “depresionin dhe deprimimin social”, duke u nisur nga ngjarjet e fundit kriminale në vend.

“Janë të natyrshme disa ngjarje në një shoqëri tranzicioni. Kalimi në demokraci, në shoqërinë e hapur duket se ka krijuar hapësira jo vetëm për qytetarin e mirë, por edhe për kriminelin. Është e sigurtë që jemi shoqëri neurotike, por kam shpresë se nuk ka ku shkon më keq. E keqja është drejt fundit. Po ndjejmë depresionin dhe deprimimin social dhe shoqëria shqiptare ka nevojë që të reflektojë dhe t’i thotë stop kësaj rruge degraduese”, deklaroi Tushi.

Më tej, sociologu radhiti shkaqet e kësaj gjendjeje të shoqërisë sonë: “Shkaqet e këtij depresioni janë: kalimi nga familja tradicionale dhe autoritariste në familjen liberale dhe individualiste; Shkolla ka pësuar dëme të mëdha, në pikëpamjen e formimit qytetar; Përdorimi i zgjeruar i drogës dhe alkoolit në shoqërinë tonë; Varfëria, edhe pse ka familje të varfra por me norma; Papunësia që të bën të mos dish si të organizosh jetën. Këto janë shkaqet që sjellin neurotizmin social”./TCH

Të ngjashme