Një konvoj i ndihmës humanitare, nuk ka qenë në gjendje të shkarkojë furnizimet për banorët e bllokuar brenda Ghouta-s Lindore të Sirisë, për shkak se avionët e qeverisë rifilluan bombardimin e enklavës duke lënë të vrarë të paktën 70 persona.
Dita e së martës, tashmë po cilësohet si ‘’më e përgjakshmja’’ pasi një armëpushim i urdhëruar nga Rusia, nuk arriti të ndalonte sulmet, njofton Klan Kosova.
Po ashtu, forcat qeveritare siriane rifilluan granatimet e periferi të Damaskut për ditën e 16-të radhazi të martën edhe pas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila doli të jetë e pasuksesshme në zbatimin e armëpushimit prej 30 ditësh.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) tha se bombardimi i enklavës ka vrarë më shumë se 70 civilë që nga e hëna në mbrëmje e deri të martën e djeshme.
Banorët e Ghouta-s Lindore, që shtrihen në lindje të Damaskut, kanë shprehur më parë skepticizmin e tyre për një “pauzë humanitare të përditshme pesë-orëshe” të propozuar nga Rusia, që filloi të martën e kaluar.