Giovanni Pietro Barbano, Gjeneralmajor i Karabinierisë së Italisë me më shumë se 40 vite përvojë në ligj dhe rend, aktivitete të policisë, dhe operacione të paqes, mori sot detyrën si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ai pason diplomatin suedez, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, i cili përfundoi detyrën si Shef i Misionit më 25 qershor.
“Ndjej një përgjegjësi të madhe gjersa marr sot detyrën si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të vazhduar moton e Misionit ‘Partneritet për drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në teren dhe për t’i avancuar synimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë,” tha Barbano.
Shefi i ri i EULEX-it pranoi se Misioni operon në një kontekst ende të vështirë, në mes të tensioneve të ngritura, dhe shtoi: “Misioni është mjet i shkëlqyeshëm për reagimin e gjerë të BE-së ndaj sfidave të sigurisë, pasur parasysh që EULEX-i është reaguesi i dytë i Kosovës në fushën e sigurisë. Në kuadër të mandatit që ka, Misioni do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj.”
Duke folur rreth mandatit të EULEX-it për monitorim të thuktë, Barbano tha: “EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivel policor, prokurorial dhe gjyqësor, dhe në nivel korrektues, për të vlerësuar se si ato raste trajtohen nga autoritetet e Kosovës. Mes tjerash, monitorimi do të përqendrohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë për gjykime të drejta, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, përfshirë pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.”
“Ndjehem i nderuar nga besimi që Shtetet anëtare më kanë dhënë, dhe me padurim pres të vazhdoj trashëgiminë e paraardhësit tim, Lars-Gunnar Wigemark,” përfundoi Barbano.
EULEX-i ka filluar punën në vitin 2008 dhe mandati aktual i tij mbulon periudhën deri më 14 qershor 2025 bazuar në Vendimin e Këshillit 2023/1095. Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është mbështetja e institucioneve të përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë. Në veçanti, Misioni është reaguesi i dytë i Kosovës në fushën e sigurisë në kuadër të një mekanizmi treshtresor të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës vepron si reaguesi i parë dhe KFOR-i si reaguesi i dytë; e këshillon Drejtorinë Rajonale Veri të Policisë së Kosovës dhe katër stacionet policore nën komandën e saj mbi një sërë çështjesh që lidhen me ofrimin e shërbimeve policore; u asiston autoriteteve të Kosovës për fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit përmes monitorimit të thuktë të rasteve në nivel policor, prokurorial dhe gjyqësor; mbështetë Shërbimin Korrektues të Kosovës përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit; punon së bashku me homologët vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për gjetjen e fatit të personave të zhdukur përmes ofrimit të ekspertizës dhe këshillave; u asiston Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës; vazhdon të menaxhojë programin e tij për mbrojtjen e dëshmitarëve; dhe mbështetë Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar përmes fasilitimit të shkëmbimit të informatave mes Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, Europol-it apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë.