Gjakova mbetet pa e rregulluar parkun e qytetit, tenderin assesi ta merr njeriu i AAK-së

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Zyra e prokurimit e Komunës së Gjakovës dështoi në disa iniciativa që të nis rregullimin e parkut të qytetit.

Komuna e Gjakovës që udhëhiqet nga Ardian Gjini i AAK-së, me çdo kusht deshi të nënshkruante kontratë për tenderin “Rregullimi i parkut të qytetit –Kontratë tri vjeçare”, me një kompanie që drejtohet nga një njëri i AAK-së, shkruan lajmi.net.

Tenderi iu dha kundërligjshëm, kompanive në konsorcium “OE D& T Group & Horn & Co. Kosova & NP INova”.  Andaj, Organi Shqyrtues i Prokurimit urdhëroi që lënda të kthehet në rivlerësim. Në dy rastet e rivlerësimit, komuna e Gjakovës e shpalli fitues konserciumin e njëjtë, duke e shkelur kështu ligjin e prokurimit publik.

Komuna pa që nuk mund të nënshkruante kontrata me këto kompani, ku pronar i “HORN & CO.KOSOVA”, është Admir Hasanaj, zyrtarë i komunës në Deçan dhe njëri i AAK-së, atëherë paratë që ishin planifikuar për vitin e parë të realizmit të projektit u shpenzuan në projekte tjera dhe tenderi u pezullua. Por, OSHP-ja gjeti se projekti u anulua kundërligjshëm, andaj e lëshoi një urdhëresë para disa jave që tenderi rivlerësohet. Mirëpo, Komuna e Gjakovës po nuk po e zbaton këtë vendim. Tash këtë rast mund ta zgjidh vetëm gjykata.

Lajmi.net i ka adresuar disa pyetje komunës së Gjakovës për këtë tender, por kjo komunë nuk ka dashur të përgjigjet.

Tender për njeriun e AAK-së

Fillimisht, Komuna e Gjakovës kishte hapur ofertë në muajin qershor të vitit 2018, për projektin “Rregullimi i parkut të qytetit –Kontratë tri vjeçare”.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 449.956,00 euro. Vlera e planifikuar për vitin 2018 ka qenë 150 mijë euro. Për vitin 2019 është 100 mijë euro, ndërsa për vitin 2020 është 200 mijë euro.

Lajmi.net ka mësuar se vlerësimit të komunës iu nënshtruan 8 garues:  1.“D& T Group”, “Horn & Co. Kosova”, “Inova” me vlerë të ofertës 404. 566, 28 euro. 2. “Viktory Com”, “Benita Compaby”, me ofertë 317. 618, 55 euro. 3. “Marisa”, “GËRLICA –Company” , me ofertë 362. 388, 18 euro. 4. “Thesar”, “ I.Seferi”, me ofertë 378. 689. 63 euro. 5. “Valbona –Gj:, “Ndërtimi”, me ofertë 388. 839, 72 euro. 6. “Albi Company” , me ofertë  417. 780, 89 euro. 7. “Beni” me ofertë 420. 599, 71 euro. 8. “Eing Com”, me ofertë 431. 463, 75 euro.

Zyra e prokurimit në komunën e Gjakovës shpalli fitues tri kompanitë në konsorciumin “D & T Group” SH.P.K, “HORN & CO.KOSOVA” SH.P.K.  dhe N.P ” Inova ” Sh.P.K, me vlerë të ofertës prej 404, 566, 28 euro. Kjo ofertë nuk ishte më e lira, por ato që kishin çmim më të lirë u shpallën të papërgjegjshme për arsye të ndryshe.

Lajmi.net ka mësuar se pronari i kompanisë fituese në konsorcium “HORN & CO.KOSOVA”, është Admir Hasanaj. Ai është shef i zyrës së turizmit në komunën e Deçanit, e cila udhëhiqet nga AAK-ja. Kurse gjatë vitit 2010-2013, Hasanaj ka qenë njëri nga drejtorët e qeverisë komunale të udhëhequr nga kryetari Rasim Selmanaj. Ai ka qenë edhe kandidat për asamblist nga radhët e AAK-së në zgjedhjet e vitit 2009. Po ashtu, Hasanaj ka qenë pjesë e organizimeve në fushatën e fundit zgjedhore në Deçan (shih fotot në fund të tekstit).

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës -ARBK, drejtor gjeneral në kompaninë “HORN & CO.KOSOVA” është, Admir Hasanaj, ndërsa si pronor është, “Horn & Co. Engineering GmbH”. Por, një kompani me emër decitiv të tillë nuk ekziston në ARBK.

“Gjykata e tenderëve” ia anuloi tenderin Komunës

Pas shpalljes së fituesve, në Organin Shqyrtues të Prokurimit u ankuan konsorciumi i kompanive “Marisa” SHPK dhe “Gërlica” SHPK. Ato pretenduan se u shkel ligji i prokurimit publik në 5 pika kur u shpallën fitues kompanitë për këtë projekt, konkretisht, neni 1, 5, 59, 60, 72 të Ligjit të Prokurimit, si dhe pika 39 të Udhëzuesit Rregullativ.

Më 17 tetor, OSHP-ja i dha të drejtë kompanive ankuese dhe e urdhëroi Komunën që lëndën ta kthejë në rivlerësim. Seanca gjyqësore u zhvillua kryesisht rreth asaj se si Zyra e Prokurimit të Komunës kishte tentuar t’ia humbet afatin për ankimin në OSHP kompanive ankuese, pasi e kishte zgjatur kundërligjshëm afatin për rishqyrtim të kompanive, dhe në fund i kishte eliminuar. OSHP-ja ka gjetur se gjatë eliminimit të kompanive nga ana e autoritetit kontraktues, operatorët ekomomik nuk janë njoftuar kundruall ligjit.

Komuna ka tentuar që t’ia humb afatin ligjor të ankesës në OSHP, pasi fillimisht kompanitë janë ankuar pranë autoritetit kontraktues dhe ky i fundit ka kërkuar edhe tri ditë shtesë më shumë afat për rishqyrtim. Pra, komuna u ka kthyer përgjigje më vonës. Madje, autoriteti kontraktues i kishte dërguar e-mali për njoftim të anulimit anëtarit të konsorciumit “Gërlica”, dhe jo liderit të grupit “Marica”.

“Paneli Shqyrtues pas analizës së provave, konstaton se autoriteti kontraktues të gjitha komunikimet elektronike/njoftimet lidhur me këtë aktivitet të prokurimit i ka bërë në e-mail të liderit të këtij konsorciumi, si letrën standarde për tenderuesin e eliminuar, vendimin mbi pezullimin e aktivitetit të prokurimit, e-mail-in për zgjatjen e apelit për marrjen e vendimit si dhe të gjitha e-mail-et tjerë janë dërguar në adresë elektronike të liderit të konsorciumit, ndërsa vetëm vendimi për refuzim të kërkesës për rishqyrtim AK-ja e ka dërguar në adresë elektronike të anëtarit të konsorciumit”, thuhet në vendimin e Panelit Shqyrtues.

Po ashtu Paneli i OSHP-së ka konsideruar se autoriteti kontraktues në këtë aktivitet të prokurimit duhet të ketë në konsideratë edhe nenin 1 të Ligjit të Prokurimit.

“Pasi që dihet se qëllimi i këtij ligji është të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, burimeve publike si dhe të gjitha fondeve dhe burimeve të tjera të autoriteteve kontraktuese janë të obliguara që të sigurojnë që fondet publike dhe burimet publike të përdorën në mënyrë më ekonomike, njëkohësisht duke marr në konsideratë qëllimin  dhe lëndën e prokurimit ashtu siç parashihet në nenin 6 të LPP-së”.

Në fund, Paneli Shqyrtues ka konstatuar se autoriteti kontraktues duhet ta shkëpusë kontratë e lidhur me “OE D& T Group & Horn & Co. Kosova & NP INova”, dhe aktivitetin ta kthejë në rivlerësim.

Komuna i bënë shkeljet e njëjta

Pas vendimit të OSHP-së, Komuna e Gjakovës e ka kthyer në rivlerësim këtë lëndë dhe përsëri ka shpallur fitues konsorcimin e njëjtë në të cilin bënte pjesë edhe njeriu i AAK-së.

Përsëri janë ankuar kompanitë e njëjta me pretendimet e njëjta se është shkelur Ligji i Pprokurimit, si neni 1-Qëllimi, neni 5 -Ekonomiciteti dhe efikasiteti, neni 6 – Barazia në trajtim, neni 59 Ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve, neni 60 -kriteri për dhënie të kontratës, neni 72 -dokumentacioni dhe informacioni shtesë.

“Vini Re: Në dosjen e tenderit të paraqitur nga grupi i OE janë të gjitha dokumentet e falsifikuara. AK – Komuna e Gjakovës nuk e ka respektuar aspak këtë vendim të OSHP-së, ku kërkohet shfuqizimi i kontratës dhe lënda të rikthehet në rivlerësim. Duke u bazuar në të gjitha faktet, zyra e prokurimit nuk dëshiron për dëshira personale që ne të shpërblehemi me kontratë”, thuhet mes tjerash në ankesë.

Pas kësaj ankese, OSHP-ja më datë 23 nëntor 2018, e ka urdhëruar Autoritetin Kontraktues që lëndën ta kthejë në rivlerësim.

OSHP-ja ka sqaruar se Autoriteti Kontraktues nuk i ka marr parasysh sqarimet e dhëna në vendimin  e OSHP-së, duke rekomanduar për kontratë të njëjtët operator ekonomik dhe duke mos vlerësuar siç duhet ofertat konform nenit 59 të LPP-së.

“Po ashtu më datë 23.10.2018, AK-ja ka kërkuar vazhdimin e validitetit të ofertave dhe vazhdimin e sigurimit të tenderit dhe nga gjithsejtë 7 OE, 4 nga e kanë vazhduar validitetin dhe 3 kanë bërë vazhdimin e sigurimit të tenderit”.

OSHP-ja sqaron se të gjitha pikat tjera të raportit të rivlerësimit janë të njëjta me raportin e vlerësimit dhe se nuk ka dëshmi që neni 59 i LPP-së është zbatuar. Andaj, OSHP-ja ka kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim.

Komuna nuk e rivlerëson tenderin, por e pezullon projektin

Më 4 janar, kompanitë e njëjta kanë parashtruar përsëri ankesë në OSHP për të shprehur pakënaqësitë e tyre se Komuna e ka pezulluar projektin.

“E kemi marr një emali për eliminim, kurse me pas kemi bërë një kërkesë për rishqyrtim, pas një kohe jemi njoftuar nga AK përmes e-mail-it se është pezulluar lënda dhe nuk kemi pranuar më asnjë e-mail ose ndonjë formë tjetër për të na treguar se çfarë ka ndodhur me ankesën tonë drejtuar zyrës së prokurimit”.

Ankesa, tash është bërë kundër njoftimit për anulim të aktivitetit të prokurimit.

OSHP-ja e ka marr në shqyrtim këtë ankesë. Më datë13 shkurt, e ka urdhëruar komunën e Gjakovës që këtë të zbatojë vendimet e OSHP-së.

Komuna në arsyetimin e vetë ka thënë se anulimi është bërë në mungesë të mjeteve financiare. Por, eksperti i OSHP së, sqaron se gjatë rivlerësimit, më datë 29 nëntor 2018, komisioni është njoftuar nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa e KK- Gjakovë së është tërhequr shuma prej 99 mijë e 160 eurove nga kategoria e investimeve kapitale dhe se përcaktimi i disponushmerisë së fondeve nuk mund të jetë më valid.

Eksperti i OSHP-së ka sqaruar para Panelit shqyrtues se ky projekt është planifikuar që të realizohet për tri vite (siç mund të shihet edhe nga vet titulli”. Duke u nisur nga ky fakt që ky projekt ende nuk ka filluar dhe se periudha për implementimin e tij merr akoma kohë dhe se në momentin e anulimit të tij ka qenë fundi i vitit fiskal. Eksperti i OSHP-së sqaron se ‘tërheqja e fondeve nga thesari’ nuk është arsyeje për eliminim. Po ashtu, eksperti lidhur me këtë anulim shton se anulimi i projektit është shkelje e rëndë, sipas Rregullores nr. 2 /2017 për procedurat e dhënies dhe revokimit të certifikatës profesionale të LPP-së. Paneli i OSHP-së i ka dhënë të drejtë këtyre të gjeturve të ekspertit të saj dhe në fund e ka urdhëruar komunën që të zbatojë vendimet e kaluara të OSHP-së. OSHP-ja e ka lënë mundësinë hapur që palët t’i drejtohen gjykatës në afatin e paraparë ligjor.

Por, më datën 27 shkurt, Komuna ka bërë njoftim për pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit. Ndërsa, në një vendim të datës 3 mars, të Komunës së Gjakovës, që e ka parë lajmi.net, thuhet se konsorciumi “OE D& T Group & Horn & Co. Kosova & NP INova” është shpërndarë më kërkesë të tyre dhe mbetet në fuqi vendimi për pezullim. /Lajmi.net/

Më poshtë mund të shihni disa fotografi të pronarit “HORN & CO.KOSOVA”, Admir Hasanaj në aktivitet partiake:

Të ngjashme