I akuzuari Azem Sallahaj u dënua me 800 euro gjobë pasi e pranoi se më 2019 e kishte sulmuar me thikë kuzhine ish-dhëndrin e tij, të dëmtuarin Shkëlqen Sadrija.
I akuzuari Sallahaj u shpall fajtor për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.
Fillimisht, gjykatësi Mizahir Shabani e gjykoi Sallahajn me gjashtë muaj burgim, mirëpo, me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi me burgim iu zëvendësua në dënim me gjobë në lartësi prej 800 euro.
Paraprakisht, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet dhe tha se ndjen keqardhje për rastin.
“Pranoj fajësinë për veprën për të cilën akuzohem dhe ndjej keqardhje për rastin që ka ndodhur, i premtoj gjykatës se një veprim të tillë nuk do ta përsëris, pasi që motra është ndarë nga bashkëshorti dhe jetojmë në bashkësi familjare me të, prej ditës kritike nuk kemi pasur asnjë problem me ish-dhëndrin”, tha i akuzuari Sallahaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai kërkoi nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dënim sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar as prokurori Sadri Alija, i cili tha se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë të lirë dhe vullnetare pasi që i njëjti ka kuptuar favoret dhe pasojat e pranimit të fajësisë e po ashtu aktakuza ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Gjyqtari Shabani, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 60 euro dhe vendosi për konfiskimin e një thike të kuzhinës, si mjet i kryerjes së veprës penale.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 7 shkurt 2020, ndaj Azem Sallahaj, duke e ngarkuar atë se më 19 dhjetor 2019, në fshatin Kramovik, të Rahovecit pikërisht pranë shtëpisë së tij, me dashje i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Shkelzen Sadrija.
Në aktakuzë thuhet se ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke shkuar në shtëpinë e të pandehurit, për ta marrë bashkëshorten e tij, motrën e të pandehurit, aty kishte lindur një mosmarrëveshje pasi që i pandehuri kishte informata se i dëmtuari po ushtronte dhunë fizike dhe psiqike, ndaj motrës së tij, e cila ishte e martuar me të dëmtuarin që gjashtë vite.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri posa e takon të dëmtuarin, e nxjerr një thikë kuzhine nga brezi dhe me të e sulmon të dëmtuarin, duke e goditur në dorën e djathtë, derisa aty ndërhyjnë dhe i ndajnë.
Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari me këto veprime të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore të përshkruara më hollësisht në ekspertizën mjekoligjore të Dr. Naim Haliti të datës 3 janar 2020.
Me këtë, i akuzuari Sallahaj ngarkohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafin 1.4 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.