Gjakovari kapet në flagrancë me armën e mbushur në brez, përfundon në ndalim policor

Prishtinë | 30 Gus 2023 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën “Kolë Lleshi” në Gjakovë, ku Policia ka ndaluar për kontroll një person, nën dyshimet se posedonte gjësende të kundërligjshme.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 25-vjeçar, te i cili Policia gjeti një armë zjarri të mbushur, që e mbante në brez dhe sillej lirshëm.

Pas përfundimit të kontrollit policor, arma dhe fishekët janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Të ngjashme