Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër M.R. nga Prishtina, që në bashkëkryerje me disa persona të tjerë ka kryer veprën penale “ vjedhje e rëndë” duke marrë 358 pako cigare dhe arkën e parave në një lokal në Gjakovë, njofton Klan Kosova.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.R., me datë 14.11.2018, në Gjakovë, pikërisht në lokalin “EL-TOBACO”, në bashkëkryerje me personin N.N., kanë hyrë me forcë duke thyer xhamin e derës, kanë marrë 358 pako cigare të llojeve ndryshme dhe arkën e parave që gjendej në lokalin e tani të dëmtuarit A.S. Të pandehurit edhe pse janë vërejtur nga policia, me automjetin e tyre kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes, ku gjatë ikjes e kanë goditur automjetin e policisë, dhe tre prej tyre në këmbë janë larguar në drejtim të panjohur, ndërsa i pandehuri M.R., është arrestuar dhe gjendet në paraburgim që nga data 14.11.2018”, thuhet në komunikatë.
Prokurori i rastit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.