Një gjarpër ka tmerruar nxënësit e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Të mërkurën, rreth orës 15:00, ata kanë parë në korridorin e shkollës gjarprin dhe menjëherë e kanë njoftuar personelin e shkollës.
Burim Ferati, i cili arriti ta izolojë gjarprin, thotë se ai ishte i gjatë rreth 80 cm.
Drejtoresha e shkollës nuk ka dashur të flasë por ka thënë se është tejet e shqetësuar dhe se po bisedon me komunën lidhur me dezinsektimin e shkollës gjatë vikendit.
Ndërkohë, kohëve të fundit, është raportuar për shtim të numrit të gjarpërinjve në Parkun e Gërmisë.
Komuna e Prishtinës, në anën tjetër, ka bërë të ditur se nesër fillon fazën e parë të dezinsektimit hapësinor për vitin 2018.
Sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe prej mbi 6500 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të insekteve.
Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë, duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 24:00.