Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Në grupin punues të përbërë nga katër anëtarë, janë propozuar gjashtë amendamente, të cilat do t’iu dërgohen komisioneve të përhershme për vlerësime, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i këtij komisioni Armend Muja, tha se nga këto gjashtë amendamente do të plotësohet Ligji për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore
“Komisioni e ka caktuar grupin punues për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Me këtë përbërje Visar Korenica, Mërgim Lushtaku, Enver Haliti kanë shqyrtuar projektligjin dhe komisionit i kanë propozuar raport me amendamente. Gjithsej janë propozuar 6 amendamente”, tha Muja.
E amendamentet e propozuara nga ky grup punues, i lexoi deputeti i VV-së, Visar Korenica.
Korenica njoftoi lidhur me propozimet e ndryshimet në këtë projektligj ku janë shtuar edhe paragrafë.
“I kemi paraqitur në detaje të gjitha arsyetimet ne mund të shkojmë për të gjitha amendamentet një nga një me i përmend. Ato janë përcjell te komisioni, si jeni dakord ja bëjmë”, tha ai.
“Grupi pothuajse ka qenë unanim në propozimet e amendamenteve… të njëjtat i propozojmë komisionit që të aprovohen dhe të procedohen më tutje”, tha Korenica, ndërsa propozimet iu dërguan Komisioneve të përhershme për vlerësime.