Viti 2021 nuk mbahet mend për të mirë për aktorin e autorin e njohur shqiptar, Çun Lajçin.
Ai e kujton si vitin që për pak sa nuk ia mori jetën për shkak se u infektua dy herë me virusin SARS-Cov-2, duke qenë se e vuajti aq shumë këtë pjesë e madje e shkëputi thuajse tërësisht nga veprimtaria artistike.
Me gjithë problemet e gjërat e zakonshme, Çun Dreli arriti që në vitin që sapo e lamë pas të sjell dy vepra “Ofshamë Malli” dhe “Kopilani”, duke e cilësuar si suksesin e vetëm për 2021.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, aktori i njohur i skenës dhe ekranit ka rrëfyer se si shkoi për të viti 2021, me çfarë saktësisht e kaloi kohën dhe për rolet e suksesshme në “Zgjoi” e “Rrushe”.
Ai thekson se vitin e kaluar ka qenë më pak aktiv në fushën e artit, pasi ishte infektuar me coronavirus dhe se ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore.
“Të them të drejtën, kam qenë shumë më pak në fushën e artit për dy arsye, për shkak të pandemisë që ishte do të thotë e përbashkëta e të gjithëve, por e veçanta ime ishte që në këtë pandemi mua më zuri dy herë virusi kështu që gati gjithë vitin, të mos them krejt vitin 2021 më shkoi herë në dhomë herë duke ecur si breshka platosë kurrizit sepse nuk e di a e ka vuajtur kush këtë virus se sa unë, më ka mbajtur shumë gjatë dhe gati gati më ka shkëputur edhe prej krijimtarisë time artistike, prej teatrit gjithsesi shumë më pak prej filmit”, ka thënë artisti për Telegrafin.
Megjithatë, Lajçi thotë se në vitin 2021 mburret me pjesëmarrjen në filmin “Zgjoi”e po ashtu edhe për dy veprat që publikoi: “Ofshamë Malli” dhe Kopilani”.
“Fatbardhësisht, mund të lavdërohem pak a shumë me filmin “Zgjoi”, i cili vërtetë ka bërë rrëmujë nëpër Evropë por edhe në Amerikë me dy çmimet kryesore në Sundance Festival, ku unë luaj rolin e dytë të mashkullit apo rolin kryesor të mashkullit. Për të tjerat, të gjitha këto kanë qenë nën hijen e virusit që e kisha. Por, edhe përkundër asaj jam munduar me shkrimet jam shumë aktiv sepse këto kohët e fundit jam më shumë aktiv në letërsi se sa në skenën e teatrit apo në film. Filmi edhe ashtu xhirohet rrallë tek ne edhe ashtu për këto rolet e tona, për moshën tonë të them të drejtën janë të mangëta, pak kush shkruan për vitet që i kemi, karakteret që i kemi, pak të angazhojnë në film, me pensionim gati gati na kanë harruar. Viti 2021 për Çunin lehtë mbahet mend për dy botime të librit, që duhet përmendur dhe që është i vetmi sukses i imi, “Ofshamë Malli”, një përmbledhje poetike dhe “Kopilani”, roman”.
“Jam shumë i lumtur që në këtë boshllëk dhe në këtë dergjë timen sepse një muaj ditë isha në spital dhe gjashtë muaj të tjerë i izoluar me oksigjen në banesë. Janë dy veprat e mia shumë të rëndësishme të cilave po mundohem në mënyrën time me ua bë prezantimin me ua bë promovimin që jam spostu nga biblioteka kombëtare. Tani kam ik, kam dalë nga institucioni të sorollatem rrugëve të atdheut, qyteteve të Kosovës, Iliridës, Tiranë kryesisht dhe Shkodër. Gjithë jeta ime artistike, ka qenë herë në skenë brenda katër mureve dhe në të shumtën e rasteve shesh xhirimi ku kemi bërë filmat. Kjo ka qenë ndoshta veprimtaria ime më e saktë për dy vitet e fundit, ani pse ishte pandemi, sepse nuk ka mbet qytet shqiptarie pa qenë prezent Çuni në sheshe me libra e veta. Kam arritur që të kem mijëra lexues, ky është sukses i jashtëzakonshëm sepse në kohë internetesh, celularesh, libri ka mbet ndër fëmijët më jetim që kemi, sepse nuk ka lexues”.
“Ato pak të holla që marrë nga libri, shumicën e asaj mbledhjeje duhet me i rezervua për veprën tjetër. Me ato të holla, aq sa mbesin mbesin ndoshta për pak jetesë por të tjerat shkojnë tek shtypshkronjat për të vazhduar veprimtarinë time letrare. Në ditën që ti numërohesh si pensionist, të harron Teatri që është gabimi më i madh i këtij Teatri, i këtij shekulli, i këtij viti, i kësaj Kosove sepse asnjëherë aktorët e mëdhenj me daljen në pension nuk janë harruar por e kanë vazhduar jetën artistike. Krejt e kundërta është pas vitit 2000, me demokraci me liri e këndej jeta artistike e një gjenerate, e temës, janë me dhjetëra artistë që nuk i sheh më as në rrugë, nuk i thërret më as filmi e as teatri. Kam zgjedhur rrugën tjetër, a të vdes si të tjerët, a të mbyllem edhe unë në pallatin tim, të mos di dikush se ekzistoj apo të shkruaj, të botoj, apo së paku dikush në rrjete sociale t’i lexoj shkrimet e mia të thotë po qenka gjallë, nuk paska vdekur, është një inat i imi ky inat më ka mbajtur gjallë e më ka shpëtuar edhe nga pandemia. Shkrimet më kanë mbajtur gjallë, sepse nuk jetohet me pension. Jam munduar që përmes veprës time edhe të mbijetoj edhe të mbaj familje. Edhe neve artistëve na duhet të vishemi pak më mirë, sepse vet profesioni titulli nuk të lë me qenë dosido. Me librat e mia kam arritur edhe të mbijetoj edhe të botoj vepra të tjera. Kam dëgjuar e lexuar shkrime të tilla se Çuni është lypsar, po dëshiron me u pasurua, jo që nuk më ka vra, jo që nuk më ka lënduar, përkundër kësaj që dua me qenë i fortë sepse kjo prapë të vet”, shton më tej ai.
Sidoqoftë, i njëjti tregon se deri më tani nuk ka marrë asnjëherë ndihmë prej shtetit pavarësisht situatës dhe viteve që gëzon në skenë.
“Ndihmë prej shtetit nuk ka pasur Çuni kurrë, por asnjë artist që është në moshë të Çunit harroje këtë ndihmë të shtetit, që i ndihmon një krijuesi. Të vetmen mbështetje që e kam pasur prej Ministrisë së Kulturës, ka qenë prej Vlora Dumoshit, e cila më ka thënë konkurro për një vepër nëse mundemi ta ndihmojmë botimin dhe “Ofshamë Malli” është produkt i saj. Kjo është e vetmja mbështetje. Por, nuk kam kërkuar kurrë ndihmë dhe kurrë nuk do t’ia cokas derën asnjë ministrie kulture sepse e dinë për 50 vite kush çka ka krijuar në këtë Prishtinë dhe nuk ka nevojë me i thënë që unë jam filani unë jam duke e bërë këtë këtë, nuk shkoj sepse jam i një principi. Kam shkuar pas çdo kryeministri, jam munduar t’i ndihmoj çdo kryeministri, kuptohet me shkrimet e mia. Nuk kam pasur ndihmë kurrë dhe nuk do të kem kurrë”, thekson ai.
I lumtur për sukseset e filmave “Zgjoi” dhe “Rrushe”, Lajçi e përshkruan ndjesinë e të qenurit në projekte kaq të mëdha si ndër rolet jetike e më të mira që ka pasur.
“Ndër rolet ndoshta jetike që i kam pasur ndonjëherë, kam bërë role të mira në teatër por edhe në filma. Kësaj radhe, në rolin e Zekës edhe te “Rrushe” përkojnë gati me dy emra të njëjtë. Sigurisht se janë ndër rolet e mia më të mira që i kam tipizuar ndonjëherë, por kam qenë vërtetë me një kast aktorësh shumë të mirë. Kam qenë me Yllkën, me të cilën kam luajtur edhe në teatër, e kemi njohur mirë njëri-tjetrin dhe kemi hyrë në brendësinë e njëri-tjetrit gjatë xhirimeve të filmit “Zgjoi”, për këtë arsye ishte suksesi i filmit në “Sundance” dhe në të gjitha këto festivalet. Do Zoti të kaloj rundin e parë të hyj në të dytin për çmimin ‘Oscar’ sepse meriton e meriton, një temë e tillë dhe një interpretim i bukur i kastit gjithsesi pa e anashkaluar regjinë e Blertës, kurse te “Rrushja” ka qenë akoma më i qëlluar roli, më ka dhimbur shumë se kanë qenë vetëm pesë episode. Për këtë vit, kanë qenë realizimet e mia më të mira”.
Meqenëse shquhet për një karrierë të bujshme prej më shumë se 50 vitesh, sipas Çunit në teatër e film nuk ka ndryshuar asgjë, veçse vullneti i artistëve.
“Ndër vite ka ndryshuar vetëm vullneti, nuk ka ndryshuar asnjë gjë tjetër. Ka ndryshuar teknika, asnjë gjë tjetër, ka ndryshuar qasja ndaj veprave, krijimtarisë. Dikur kemi menduar se si ta krijojmë rolin, si ta bëjmë veprën por nuk kemi menduar se si ta fitojmë dinarin jugosllav, pra sa do të pasurohemi. Tani, gjithçka që futesh rrugës së krijimtarisë fillon që të kalkulosh në pare. Përpara se ta gjesh rrugën se si do ta bësh rolin, e si ta bësh veprën, ti e bën një kalkulim me laps se sa do të fitosh. Arti nuk e ka kështu, e bën ose nuk bën. Mund t’i fitosh milionat, por nëse nuk ke shpirt në zemër e sinqeritet në krijimtarinë tënde dhe nëse nuk ke ndjenja nuk do të krijosh kurrë. Më shumë ka pasur buxhet dikur në Jugosllavi edhe pse ishim të okupuar prej tyre se sa sot që jemi të lirë. Është dallim i jashtëzakonshëm qoftë në krijimtari, qoftë në financimin që e ka bërë shteti dikur”.
75-vjeçari gjithashtu nuk mungoi me një mesazh të veçantë për vitin 2022, duke treguar dëshirat për të ‘blerë’ e që njëherësh do të thotë për të ‘mësuar’ akoma më shumë.
“Nuk e di se nuk merrem shumë, kam shumë dëshira në jetën time që të blej. Me ble do të thotë që të mësoj shumë, nuk jam ndonjë që mund t’i them popullit tim që Viti i Ri do t’ua sjellë vizat, do t’ua sjellë një dialog përmbyllës me Serbinë, se Viti i Ri do t’i merr të gjitha të ligat që i patëm dhe në 2022 do të jemi shtet në kuptimin e plotë, i pavarur. I pavarur do të jesh vetëm kur Serbia e njeh pavarësinë tënde, pra nuk jam njëri nga ata që mundem të them se Viti i Ri do të jetë i lumtur për të gjithë. Jam nga ata që kam shumë qejf të blej, i lumi ai që blen gjithë jetën sepse atëherë kur të del pas në foltoreje din me i shit dikujt, me i mbajt fjalim dikujt duhet me ble shumë, blerja është mençuria, nuk është vetëm ajo paraja që e fusim në xhep, unë nuk jam nga ata. Nuk kam shumë dhe nuk dua as tani për me dhënë ndonjë porosi për Vitin e Ri”, përfundon bisedën për Telegrafin, Çun Lajçi.