Gjashtë persona janë vrarë nga një shpërthim bombe në një protestë në përkrahje të palestinezëve, e cila u mbajt në jugperëndim të Pakistanit, bëri të ditur policia e këtij shteti.
Bomba, e cila ishte e vendosur në një motoçikletë, e kishte cak veturën e një lideri të një partie me prapavijë fetare, e cila e kishte organizuar tubimin, tha përmes telefonit për agjencinë Reuters komandanti i policisë lokale, Jafar Khan.
Ai shtoi se bomba shpërtheu në fund të tubimit, në kohën kur njerëzit ishin duke u shpërndarë në qytetin Chaman, afër kufirit me Afganistanin, transmeton Gazeta Express.
Ndryshe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, gjatë luftimeve që zgjatën 11 ditë janë vrarë 243 njerëz, përfshirë mbi 100 gra e fëmijë. Në Izrael janë vrarë 12 persona, përfshirë dy fëmijë.
Në shumë vende të botës janë mbajtur tubime për të shfaqur përkrahje për palestinezët e Gazës, ndërsa në Shtetet e Bashkuara ka pasur përleshje fizike mes përkrahësve të palestinezëve dhe përkrahësve të Izraelit, pasi të dyja grupet organizuan tubime dhe u takuan mes vete në rrugë.