Gjatë 24 orëve të fundit, 42 të shëruar nga Coronavirusi në Maqedoninë e Veriut

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 19:38 | Nga Ekonomia Online

42 qytetarë që kanë qenë të prekur nga Covid-19 janë shëruar plotësisht. Me këtë bilanci i personave të shëruar nga virusi korona shkon në 86. Numri më i madh i të shëruarve është regjistruar në qytetin e Dibrës. Të gjithë personat e shëruar kanë rezultuar negativ në dy teste të bëra. Ndërkohë, 54 të infektuar dhe 6 viktima është bilanci i 24 orëve të fundit si pasojë e CoVid-19. Numri më i madh i të infektuarve është shënuar në Kumanovë (25), Shkup (13), Prilep (10), Veles (2) dhe nga një i infektuar në Shtip, Tetovë dhe Gostivar. Në Kërçovë është regjistruar i infektuari i parë. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se ky bilanc bazohet në 710 teste të bëra në gjashtë qendra testimi.

Në mënyrë të vazhdueshme e rrisim numrin e testeve. Jemi duke punuar për dy kapacitete të reja në ASHM dhe në Mjekësinë Ligjore. Me këto kapacitete planifikojmë që testet që bëhen pas vdekjes së pacientëve të bëhen në Byronë e Mjekësisë Ligjore dhe jo në institucionet në Shkup apo pikat tjera të testimit- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Nga dy viktima kanë ndërruar jetë në Kumanovë dhe Strugë dhe nga një në Prilep dhe Veles. Me këto shifra bilanci i të infektuarve shkon në 908 ndërsa numri i viktimave në 44. Deri tani janë bërë 9.262 teste. Lidhur me kërkesat e familjeve të personave me aftësi të kufizuara, për të cilat ditë më parë Alsat raportoi se kërkojnë masa lehtësuese gjatë orës policore, Filipçe theksoi se në mbledhjen e nesërme të Shtabit do të diskutohet për mënyra lehtësuese./Alsat=M/

Të ngjashme