Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në bashkëpunim me Misionin në Kosovë të OSBE-së ka organizuar punëtorinë “Luftimi i lajmeve të rreme dhe dezinformimit: Etika në media gjatë fushatave zgjedhore”, ku u prezantua edhe Udhëzuesi për media “Raportimi etik për zgjedhje”, raporton Ekonomia Online.
Pascale Roussy, drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për të adresuar dezinformimin.
“Siç e dimë, çdo ditë përballemi ose jemi të përballur me lajme të rreme, dezinformim dhe propagandë. Natyrisht, në atmosferën e ngarkuar të fushatës zgjedhore që po afron, kjo është diçka që të gjithë duhet ta adresojmë së bashku. Ne, si organizatë dhe si vend, kemi shprehur përsëri shqetësimin tonë për përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformimit dhe për gjuhën e dëmshme që kjo ekspozon, siç janë rreziqet për organizatat korporative dhe talentet e votuesve që mund të humbasin. Përballë këtyre sfidave, ne mbështetemi shumë në procesin e profesionistëve të mediave për të ofruar informacion të saktë, për të adresuar dezinformimin kompleks dhe për të mbajtur etikën profesionale”, tha Roussy.
Ajo shtoi se OSBE ka mbështetur Këshillin e Mediave në rivitalizimin e etikës gazetareske, duke angazhuar mbi 100 gazetarë, dhe përpara fillimit të fushatës zgjedhore, po ndihmon Komisionin e Pavarur të Mediave në realizimin e një fushate ndërgjegjësimi për publikun.
“Për më tepër, përpara fushatës zgjedhore që fillon në fund të kësaj jave, ne po mbështesim Komisionin e Pavarur të Mediave për të realizuar një fushatë ndërgjegjësimi për të nxitur publikun të reflektojë, të marrë kohë për të menduar dhe të verifikojë para se të besojë ose ndajë përmbajtje në rrjetet sociale”, tha Roussy.
Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, theksoi nevojën për respektim të etikës nga mediat gjatë fushatës zgjedhore.
“Asnjëherë nuk është tepër që të flitet. sidomos në mesin e profesionistëve për dezinformim, përkatësisht luftën kundër dezinformimit, sidomos në fushatë zgjedhore. Është e rëndësishme që edhe një herë t i përkujtojmë obligimet që kanë mediat dhe gazetarët që të bashkëpunojmë se si të shkojmë tutje që fushata zgjedhore të karakterizohet jo me dezinformim, jo me gjuhë të urrejtjes por të jetë një fushatë që respekton rregullat e etikës”, tha ai.
Besnik Berisha, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, theksoi se gazetarët duhet të jenë besnikë ndaj profesionit të tyre dhe zëri i tyre të mos manipulohet.
Ai nënvizoi se roli i Komisionit nuk është vetëm rregullator, por edhe edukues dhe mbështetës i mediave që ndjekin etikën profesionale.
“E kemi edhe me rregullore të KPM-së se raportimi duhet të jetë i saktë dhe i paanshëm. Këto dhe parimet e gazetarisë duhet ta përcjellin gjithë fushatën zgjedhore. Ne si rregullator i mediave bëjmë monitorimin e mediave në mënyrë aktive, por edhe në bazë të ankesave. Ja vlen të theksohet se kohëve të fundit ankesat janë rritur ndjeshëm, interpretimi ynë është se është rritur besimi ndaj KPM-së, por edhe është rritur ndërgjegjësimi i qytetarëve për tu ankuar në raste kur kemi shkelje të caktuara apo ndihen të fyer”, tha ai.
Ndërsa, Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, bëri thirrje që mediat dhe gazetarët të mos bëhen palë në zgjedhje.
Ai bëri thirrje që gazetarëve të sigurohet qasje e barabartaëpër të raportuar për tubimet politike.
“Është shumë e rëndësishme që gazetarët të jenë në terren dhe të shohin dhe raportojnë vetë për atë që ndodh për ato çfarë politikanët premtojnë për pjesëmarrjen e qytetarëve në këto tubime zgjedhore. Fatkeqësisht, në zgjedhjet e fundit gjatë kohës së fushatës zgjedhore për ditën e zgjedhjeve kemi pasur edhe rrezikim të sigurisë fizike të gazetarëve që është e pa pranueshme, partitë politike duhet të jenë në gjendje të ju ofrojnë akses të barabartë për të gjithë gazetarët për të mbuluar tubimet e tyre zgjedhore”, tha ai.
