Ish-basketbollisti i njohur shkodran, Bledar Gjeçaj, ka pranuar se Liga Unike e Kosovës dhe e Shqipërisë është garë e mirë, por që është themeluar në një moment të keq.
Gjeçaj, që ende mbahet në mend për suksesin që kishte në Kosovë si lojtar, thotë se momenti nuk është i duhuri pasi klubet në të dyja vendet shqiptare janë goditur rëndë financiarisht nga pandemia.
Në fakt i gjithë sporti po vuan nga pasojat e COVID-19. Por në basketboll ndikimi vlerësohet të jetë më i madh e sidomos në Kosovë e Shqipëri, shkruan KOHA.
Gjeçaj si lojtar, krahas Shqipërisë ka bërë karrierë edhe në Kosovë, duke luajtur te Bashkimi dhe Peja. Gjeçaj ka shtuar se kjo ligë është dashur të themelohej më herët dhe se këtë edicion klubet do të kenë telashe duke pasur parasysh se gjendja e tyre financiare do të jetë shumë e vështirë.
Ai ka thënë se të gjitha ekipet, si të Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës janë në “gjumë të thellë” gjatë kësaj periudhe, me përjashtim të Golden Eagle Yllit që ka bërë përforcime dhe duket të jetë më i gatshëm për pjesëmarrje se të tjerat.
Edhe në Shqipëri sikurse në Kosovë, skuadrat e basketbollit nuk po lejohen të stërviten dhe sipas Gjeçajt ky është një problem i madh, që shpreson të zgjidhet sa më shpejt. Edicioni i ri nis muajin e ardhshëm. Liga Unike është zyrtarizuar të enjten mbrëma dhe marrëveshja është katërvjeçare ndërmjet dy federatave – të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Liga Unike përfundimisht është një gjë e mirë sepse e rrit më shumë cilësinë por ndoshta është realizuar vonë si ide. Ndoshta është dashur më herët sepse ka ardhur në një moment të keq për shkak se gjendja financiare e klubeve është e vështirë këtë edicion si pasojë e pandemisë që ka ndikuar shumë”, është shprehur Gjeçaj. “Përveç Yllit, asnjë prej ekipeve nuk kanë lëvizur gjatë kësaj kohe dhe kjo tregon gjendjen reale të klubeve në aspektin financiar. Ndoshta kishte qenë më mirë të përfshihen edhe më shumë ekipe por ka shpenzime”.
Gjeçaj ka thënë se klubet do të përballen me shpenzime shtesë gjatë Ligës Unike dhe nuk përjashton mundësinë që ndonjë prej tyre të tërhiqet si pasojë e mungesës së mjeteve financiare, ndonëse shpreson të mos ndodhë një gjë e tillë. Sipas tij, pandemia i ka prishur shumë punë sportit në përgjithësi në Shqipëri, i cili kryesisht varet prej sponsorëve.