Gjenden 46 të vdekur në një kamion të braktisur në Teksas

Prishtinë | 28 Qer 2022 | 07:58 | Nga Ekonomia Online

Të paktën 46 persona janë gjetur të vdekur në një kamion të braktisur në periferi të San Antonio, Teksas.

Një zyrtar zjarrfikës tha se 16 persona, përfshirë katër fëmijë, janë dërguar gjithashtu në spital, raportoi BBC të martën.

Të mbijetuarit sipas tij, ishin “të nxehtë në prekje” dhe vuanin nga lodhja si pasojë e nxehtësisë.

San Antonio, i cili është 250 km nga kufiri SHBA-Meksikan, është një rrugë kryesore tranziti për kontrabandistët e njerëzve.

Trafikantët e qenieve njerëzore shpesh përdorin kamionë për të transportuar emigrantë pa dokumente, pasi i takojnë në zona të largëta, pasi të kenë arritur të kalojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Ata kishin familje, dhe po përpiqeshin të gjenin një jetë më të mirë. Nuk është asgjë më pak se një tragjedi e tmerrshme njerëzore”, ka thënë kryebashkiaku i San Antonios, Ron Nirenberg.

Reaguesit e urgjencës mbërritën fillimisht në vendngjarje rreth orës 18:00 me orën lokale, pasi iu përgjigjën raporteve për një trup të pajetë, u tha gazetarëve shefi i zjarrfikësve në San Antonio, Charles Hood.

Ai shtoi se automjeti, i cili ishte braktisur nga drejtuesi i tij, nuk kishte ajër të kondicionuar dhe nuk kishte ujë të pijshëm brenda.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, tha se dy guatemalanë ishin në mesin e atyre që u dërguan në spital. Kombësia e viktimave të tjera nuk është ende e qartë.

Të ngjashme