Kutitë e zeza, që mund të hedhin dritë mbi vdekjen e Yevgeny Prigozhin, janë gjetur.
Kështu njoftojnë autoritet në Rusi, bashkë me konfirmimin për 10 trupa të pajetë nga avioni ku supozohet se udhëtonin drejtuesit e grupit famëkeq Wagner.
“Tani po kryhen teste molekularo-gjenetike”, thonë hetuesit.
Avioni u rrëzua afër Moskës të mërkurën, duke nxitur spekulime se faji ishte i një bombe ose një rakete të lëshuar nga toka.
Pretendimet se Kremlini dha një urdhër për të vrarë Prigozhin janë një “gënjeshtër e plotë”, tha më herët për BBC zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin.
Prigozhin – dikur besnik i Putinit – udhëhoqi një revoltë të armatosur të ndërprerë nga luftëtarët e tij mercenarë në qershor. Putin në atë kohë e përshkroi kryengritjen si “tradhti”, por më vonë u arrit një marrëveshje që mercenarët e Wagner ose të bashkoheshin me ushtrinë e rregullt të Rusisë ose të shkonin në Bjellorusi.
Megjithatë, në vazhdën e rebelimit, shumë vëzhgues e përshkruan Prigozhin, si një “njeri të vdekur që ecën”, duke argumentuar se presidenti rus nuk do ta falte kurrë thikën pas shpine të bosit të Wagner.
Ish-miku i Prigozhin, Vladimir Putin, qëndroi në heshtje për mbi 24 orë, përpara se të shprehte ngushëllimet e tij, por me qortimin se kreu i Wagner bëri gabime të rënda kohëve të fundit.
Aktualisht ka shumë paqartësi për fatin e grupit mercenarë, ndërsa shumë analistë besojnë se Wagner i ka orët e numëruara përpara shkrirjes totale. Sërish ka ndërhyrë Kremlini duke kërkuar besnikëri nga luftëtarët.
Nuk dihet ende se kush e ka aktualisht drejtimin e grupit, apo nëse do të vendoset një lider me përcaktim nga Putin.