Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur dhe konfiskuar pistoleta, e cila është përdorur për vrasjen e 23-vjeçarit dhe plagosjen dy vëllezërve të tij në Klinë.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 3 gëzhoja dhe 1 fishek.
“Fsh. Volljakë, Klinë 28.04.2022 – 20:40. Lidhur me rastin, është gjetur dhe konfiskuar pistoleta, e cila është përdorur në kryerjen e veprës në fjalë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 3 gëzhoja dhe 1 fishek. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.
Vrasja ka ndodhur në parkingun e një restaurant në Volljakë të Klinës.
“Më datë 28 prill 2022, rreth orës 20:40, Policia e Kosovës është informuar për të shtëna me armë zjarri, në parkingun e një restauranti në fshatin Volljakë, komuna e Klinës.
Policia menjëherë i është përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe është kuptuar se tre (3) persona kanë pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe mjete të forta. Viktimat fillimisht janë dërguar në QKMF-Klinë, e më pas në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e njërit nga të lënduarit”, thuhet në njoftim.
Policia ka treguar edhe inicialet e të dyshuarve për këtë rast.
“Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, prokurori i shtetit, pas një pune intensive operative dhe hetimore është arritur të identifikohen dhe arrestohen pesë (5) të dyshuar në rast: ·A.G. lindur me 1980,·N.G. lindur me 1992, A.G. lindur me 1998, B.G. lindur me 1985, B.G. lindur me 1974
Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh. Trupi i pa jetë i viktimës me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore (IML) për obduksion”, thuhet në njoftim.
Dy të plagosurit kanë refuzuar që të shtrihen në Spitalin e Pejës, dhe menjëherë pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë larguar për në shtëpi.