E mitura që u raportua e zhdukur para dy ditësh nga familja e saj në Rahovec është gjetur mëngjesin e së mërkurës në një fshat të kësaj komune. Gjatë kësaj periudhe, viktima ka qëndruar me një person të moshës madhore, i cili dyshohet se tentoi ta keqtrajtojë seksualisht, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me rastin, Policia tashmë ka nisur hetimet dhe sipas informacioneve që ka Sinjali, bëhet fjalë për një 17-vjecare, e cila pasi u gjet ka rrëfyer për atë që ka ndodhur në shtëpinë e 29-vjeçarit.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i riu dyshohet se ka tentuar që të kryejë marrëdhënie seksuale me të miturën.
I njëjti tashmë është shpallur në kërkim nga Policia, por që njësitet policore akoma s’kanë arritur ta lokalizojnë vendndodhjen e tij.
Në anën tjetër, vajza është dërguar për kontroll mjekësor dhe ekzaminime të tjera të nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim dhe gjatë procesit pritet të konfirmohen ose jo pretendimet e të miturës.