Rreth 20 mijë kokosi të mbushura me kokainë të lëngshme u gjetën nga autoritetet në Kolumbi brenda një dërgese të destinuar për në Itali.
Dërgesa u gjet përmes një hetimi të koordinuar nga Drejtoria e Specializuar e Prokurorisë së Përgjithshme kundër trafikut të drogës dhe Drejtoria e Policisë Kombëtare kundër Narkotikëve, sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar të enjten nga Zyra e Prokurorit Kombëtar të Kolumbisë.
Dërgesa do të nisej nga porti i Kartagjenës në Bolívar për në Genova në Itali.
“Pas inspektimit, u konstatua se uji në frutin tropikal ishte shkëmbyer me kokainë të lëngshme”, thuhet në njoftimin për shtyp në spanjisht.
Arrat e kokosit u dërguan më pas në një laborator të specializuar për të përcaktuar sasinë e saktë të drogës që u injektua në arrë.
Zyra e prokurorit tha se hetimet ishin duke u zhvilluar për të përcaktuar personat përgjegjës, si dhe vendin ku ishin ngarkuar arrat e kokosit.
Autoritetet italiane do të njoftohen gjithashtu për strukturën e trafikut të drogës që ishte menduar të merrte ngarkesën, shkruan Independent, transmeton Klankosova.tv.
Kjo nuk është hera e parë që kokosi, e fruta dhe perime të tjera përdoren për të kontrabanduar drogë.
Në vitin 2017, autoritetet në aeroportin e Madridit zbuluan një ngarkesë me arra kokosi të freskëta, të cilat ishin injektuar me një total prej 60 gramësh kokainë të lëngshme, raportoi Vice.
Një vit më vonë, policia në Madrid gjeti më shumë se 65 kg kokainë të fshehura brenda ananasit në një treg ushqimor.
Vetëm javë më parë, autoritetet britanike gjetën kokainë brenda kanaçeve me fasule të pjekura dhe qumësht kokosi.