Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë gjetur trupin e 33-vjeçarit që u mbyt të dielën në Liqenin e Ujmanit, raporton Ekonomia Online.
Viktima kishte kërcyer nga ura në Liqenin e Ujmanit të dielën dhe s’kishe dalë më nga uji.
Trupi i pajetë u lokalizua pas dy ditësh kërkimi intensiv nga njësitë e FSK-së dhe ekipet e specializuara të zhytësve.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se rasti po trajtohet si vdekje e dyshimtë dhe se pritet autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të vazhduar hetimet.
“Policia, në momentin që ka pranuar informacionin që ka ndodhur rasti, e ka trajtuar si vdekje të dyshimtë sepse është hedhur nga ura dhe duhet të shihen edhe elemente se çka ka sjellë deri te hedhja. Është me rëndësi që trupi është gjetur, është sjellë në ndërtesën e Kryqit të Kuq, është identifikuar nga familjarët, ndërsa presim IML-në që të vijë dhe ta marrë trupin. Pas autopsisë do të vazhdojmë tutje.”, theksoi Elshani.
Të martën, me autorizim të KFOR-it, ekipet e kërkim-shpëtimit të FSK-së dolën në terren dhe pas disa orësh kërkim, gjetën trupin e pajetë.
“Falë intesitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit. Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftimin e FSK-së.


