“Dëmtimi i njërit, është dëmtim për çdonjërin”.
Ky është një slogan mbarëpopullor që përfaqëson bashkimin e punëtorëve anë e mbanë botës në luftimin për të fituar të drejtat e tyre. Më specifkisht, kjo është thënia me të cilën identifikohen pothuajse të gjitha organizatat e punëtorëve, duke përfshirë unionet dhe sindikatat.
Që nga formimi i tyre, unionet apo sindikatat kanë synuar të mbrojnë të drejtat e punëtorëve. Në mesin e shumë benefiteve që vijnë nga anëtarësimi në sindikata, janë edhe pagat më të larta. Sipas statistikave, punëtorët e anëtarësuar në sindikata mesatarisht fitojnë rreth 30% më shumë sesa punëtorët që nuk janë pjesë e sindikatave, që në ekonomi është e njohur si efekti absolut në rroga shkaktuar nga unionet.
Po ashtu, punëtorët që janë anëtarë të unioneve janë më produktivë, duke ndikuar kështu në profitin e kompanive.
Në Kosovë, të drejtat e punëtorëve vazhdojnë të shkilen. Disa nga shkeljet janë orari i gjatë i punës, rrogat e ulta, pagesat jo në kohë, mungesa e kushteve të mira në punë, mungesa e sigurimit shëndetësor, mungesa e kontratave duke i përfshirë ato afatgjate, pushimet e shpeshta joligjore nga puna, mosofrimi i benefiteve te ndryshme, siç është pushimi i paguar, e të tjera. Sa i përket Kosovës, sipas raportit mbi punësimin dhe mirëqenien sociale për vitin 2017, 83% e punëtorëve punojnë më shumë se 40 orë në javë, edhe pse me ligj parashikohen vetëm 40 ore pune në javë. Për më tepër, në mungesë të kushteve të mira në punë, vetëm në pese vitet e fundit, në sektorin e ndërtimtarisë kanë vdekur gjithësej 93 punëtorë. Andaj, një përmirësim i zbatimit të Ligjit të Punës dhe një përfaqësim më i fuqishëm i punëtorëve nga sindikata janë mëse të nevojshme.
Bashkimi i Sindikata të Pavaruara të Kosovës (BSPK) është themeluar në vitin 1990, në kohën kur Kosova përballej me sfida të mëdha politike. Andaj, në atë kohë, qëllimi kryesor i formimit të sindikatës ishtë mbrojtja e identitetit kombëtar, ku parashihej të hynte edhe mbrojtja e të drejtës për punë.
Sikur e konfirmon në një intervistë kryetari aktual i BSPK-së, Avni Ajdini, në atë kohë BSPK-ja ka pasur rreth 120 mijë punëtorë si anëtarë. Ndërsa ndërsa sot ka rreth 50 mijë anëtarë; prej tyre vetëm rreth 15 % jane gra.
BSPK-ja është konfederatë e cila përbëhet nga 17 federata, siç është ajo e policisë, arsimit, shëndetësisë, minatorëve, e të tjera. Kjo sindikatë është organizatë e cila synon të mbrojë të drejtat dhe liritë e punëtorit. Më specifikisht, sipas strategjisë mbi programin zhvillimor për vitet 2017-2022, BSPK synon të përforcojë monitorimin e zbatimit të ligjit të punës duke marrë pjesë në rastin e inspektimeve, ushtrimin e padive civile për shkelje të të drejtave të punës, ngritja e vetëdijësimit të punëdhënësve për rolin e tyre në përmirësimin e të drejtave të punëtorëve, si dhe shtrirja e organizimit sindikal në sektorin privat, ku sipas Z. Ajdini bëhet shkelje më e madhe e të drejtave të punëtorëve.
Kryesisht, nëse parashtrohet ndonjë kërkesë nga punëtorët, federatat janë ato të cilat kujdesen për adresimin e tyre. Në qoftë se nuk mund të arrihet sukses nga ana e federatave, ajo qështje kalon në konfederatë, gjegjësisht në BSPK, që shërben si zë kolektiv i gjitha federatave. Taktikat apo instrumentet më të përdorura nga ana e BSPK-së për realizimin e të drejtave dhe kërkesave të punëtorëve janë dialogu me qeverinë, protestat dhe si mjet i fundit greva.
Ndër vite, si suksesin kryesor të BSPK-së, Ajdini konsideron të jetë realizmi i pagave më të mëdha në sektorë të ndryshëm. Në vitet e fundit, një ndër sukseset kryesore të BSPK-së sipas tij është ngritja e pagës së punëtorëve të KEK-ut, në një shumë prej 100 euro. Edhe pse si fillim BSPK kërkoi rritje të pagës prej 200 euro, me anë të marrëveshjes ata arritën në këtë dakordim.
Po ashtu, BSPK-ja vazhdon të mbështesë idenë për rritjen e pagës minimale. Ajdini saktëson se në Këshillin Ekonomik-Social, pjesë e të cilit janë odat ekonomike, sindikatat, dhe qeveria, është dakorduar që rroga minimale në Kosovë të rritet në 250 euro. Mirëpo, kjo kërkesë ende nuk është realizuar.
Duke marrë parasysh shkeljet e të drejtave të punëtorëve të përmendura më lart, konsideroj që BSPK të bëjë ndryshime në taktikat e përdorura gjatë negociatave me autoritetet. BSPK duhet të veprojë si në vijim:
• Rritja e vetëdijësimit të punëtorëve dhe punëdhënësve: Kjo sindikatë duhet të angazhohet më shumë në rritjen e vetëdijësimit të punëtorëve dhe punëdhënsve për të drejtat e të gjithë të punësuarve. BSPK duhet të jetë më aktive dhe të rrisë komunikimin me punëtorët për t’i informuar edhe mbi procedurat e adresimit të shkeljeve në organet përkatëse, duke e përfshirë vetë BSPK-në. Kjo mund të arrihet përmes tryezave dhe konferencave si dhe përmes përdorimit të internetit si mjete të informimit. Shkeljet e të drejtave të punëtorëve janë masive, andaj BSPK duhet të tregohet më efikase në adresimin e tyre. Kjo mund të tërheqë vëmendje më të madhe publike, gjë që çon në rritjen e antarësisë në sindikatë. Me një anatarësi më të madhe dhe me një informim më efikas të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, sindikata mund të dëmtojë punëdhënësit duke shkaktuar një publicitet negativ mbi punën e tyre. Në mënyrë që të jenë edhe më të fuqishëm gjatë negociatave, sindikata duhet të organizojë protesta afër instutucioneve që shkelin të drejtat e punëtorëve dhe kjo do të vështirësojë përfundimin e proceseve normale në ato institucione. Kjo formë e protestës përdoret nga unione të ndryshme në botë dhe në ekonomi njihet si “picketing”.
• Inkurajim për zbatim më efikas të ligjit të punës: Një informim më i madh për shkeljet e të drejtave të punëtorëve mund të krijojë presion mbi qeverinë për një mbikëqyrje publike më efikase. Kjo mund të dërgojë në rritjen e inspektimeve të punës përmes së cilave mund të penalizohen punëdhënsit që veprojnë në kundërshtim me Ligjin e Punës.
Sindikata duhet të jetë më agresive në mënyrë që gjendja e punëtorëve në Kosovë të përmirësohet sa më shpejt. Konsideroj që hapat e përmendur më lart do të ndihmojnë këtë proces.
(Autorja është studente e RIT Kosovo/ A.U.K.)