Tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e komplikimeve nga gripi në Greqi, ndërsa 28 pacientë të tjerë po trajtohen në gjendje të rëndë
Rritja dramatike e numrit të sëmurëve me grip në 15 ditët e para të këtij viti është shokuese, por e pritshme theksojnë specialistët e shëndetit pasi 8 persona kanë humbur jetën prej 6 Janarit në Greqi.
Përveç viktimave edhe 28 persona të tjerë kurohen me komplikacione të rënda në repartet e reanimacionit dhe mjeket japin alarmin për vaksinimin sa më të shpejtë sidomos të grupmoshave me rrezikshmëri të lartë, si fëmijët dhe të moshuarit.
“Duhet të ishin vaksinuar. Nuk është vonë, duhet të vaksinohen të gjithë sepse nga 8 personat që humbën jetën dhe 28 të prekurit nga virusi, 90% ishin të pavaksinuar”- tha Panajotis Kolaras, mjek në Selanik.
Në fakt prej Krishtlindjeve agjensia evropiane e shëndetit ECDC kishte paralajmëruar për përhapjen e virusit të gripit H1N1 , duke u bërë thirrje zyrtarëve dhe gjithë sistemit shëndetësor të jenë në gatishmëri.
Perhapja e virusit favorizohet nga kushtet klimatike ndaj dhe nevojitet kujdes në zbatimin e masave parandaluese. Specialistet gjithashtu paralajmerojnë se virusi në fjalë do të ketë një përhapje edhe më të madhe në ditët në vijim pasi periudha e virozave zgjat zakonisht deri në fund të marsit.
Vitin e kaluar në Greqi humbën jetën nga gripi i tipit A dhe komplikacionet që ai shkakton të paktën 152 persona.