Gjendje kaotike me masat Anti Covid në Gjermani, kërkohet ashpërsim

Prishtinë | 29 Mar 2021 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i landit Baden-Württemberg Winfried Kretschmann ka kërkuar në fillim të javës së kaluar që të vazhdojnë menjëherë konsultimet mes kryeministrave dhe kancelares për rishikimin e gjendjes me pandeminë Corona.

“Ne thjesht po shohim që numrat po ngrihen shumë shpejt”, deklaroi Kretschmann në Stuttgart. Politikani ekologjist nuk tha, nëse konferenca e ardhshme e kryeministrave dhe kancelares, e planifikuar të mbahet me 12 prill, do të mbahet këtë ditë apo do të mbahet më heret. Por edhe eksperti socialdemokrat i shëndetësisë Karl Lauterbach ka bërë thirrje për mbajtjen e një samiti të ri dhe vendosjen e kufizimeve të reja.

Ndërkohë, incidenca e infektimeve brenda shtatë ditësh në Gjermani vazhdon të rritet me shpejtësi. 

Rritjet  e shifrave

Sipas Institutit Robert Koch (RKI), vlera e fundit e infeksioneve të reja me virusin Corona për 100.000 banorë brenda një jave ka shkuar në mbi 130. Një vlerë kaq e lartë e infektimeve në Gjermani ka qenë për herë të fundit me 19 janar (131.5). Autoritetet shëndetësore raportuan të dielën për 17.176 infeksione të reja dhe 90 raste të vdekjes nga sëmundjet që kanë lidhje me virusin Corona.

Por ka dhe disa lande që kanë vendosur të ndjekin një rrugë tjetër në kohën e pandemisë. Landi i Berlinit ka vendosur që përkundër rritjes së shifrave të infektimeve të dalë nga ciklet e hapjeve dhe mbylljeve të shpeshta. Ndaj ka vendosur që lehtësimet e vendosura më parë të mbeten, si për shembull në tregti dhe kulturë, por njëkohësisht kërkon shtrëngimin e masave sa i përket testimeve. Në këtë mënyrë, ky land ka vendosur që të mos respektojë të ashtuquajturin “frenim emergjent”, të cilin ka parashikuar qeveria federale në rastet kur numri i infektimeve kalon 100 në 100.000 banorë brenda një jave. E megjithatë në rajonet me këtë incidencë do të mund të futet kufizimi i daljeve natën.

Lockdown i ashpër?

Presidenti i shqatës së industrisë së metaleve Stefan Wolf deklaroi për gazetën “Bild am Sonntag” se duhet të futet një lockdown i ashpër. Ai tha se duhet të parandalohet mundësia që secila komunë të ketë rregullat e veta. “Unë do të preferoja që të futet një bllokim i ashpër në të gjithë vendin për dhjetë ditë dhe më pas të mund të hapim të gjitha, në vend që të mos kemi struktura të qarta për muaj të tërë”. Wolf kritikoi në këtë kontekst edhe formën e takimeve të kancelares me kryeministrat: “Për muaj të tërë këto konkludime të këtyre takimeve i kanë injoruar plotësisht nevojat dhe dëshirat e njerëzve dhe kompanive”.

Rreziku nga mutacionet

Edhe shefi i kancelarisë Helge Braun mendon se duhet të merren masa më të ashpra në luftimin e pandemisë. “Nëse numri i infeksioneve rritet shpejt paralelisht me vaksinimin, atëherë rritet edhe rreziku që mutacioni tjetër i virusit të bëhet imun ndaj vaksinës”, theksoi politikani i partisë CDU, në një deklaratë për gazetën “Bild am Sonntag”. Në rast të një mutacioni të tillë “do të mbeteshim sërish me duar bosh” dhe prapë do të kërkohen vaksina të reja. Braun kërkoi, ndër të tjera, që të futen kufizime të lëvizjes në rajone të caktuara me një nivel të lartë infektimesh.

Disa ekspertë gjermanë kanë paralajmëruar se shifrat e infektimeve në ditë mund të shkojnë deri në 100.000 në qoftë se nuk ndërmerren masa të ashpra parandaluese. Në njërën anë janë shtuar kërkesat për ashpërsimin e masave, por nga ana tjetër, ka dhe lande dhe komuna, ku thuhet, se ato do të vazhdojnë me lehtësimet e tanishme e madje edhe me lehtësime të tjera.

Të ngjashme