Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama priti sot ambasadorin e Republikës së Hungarisë në vendin tonë, József Bencze.
Në fillim, ambasadori Bencze vlerësoi lart të arriturat e deritashme të FSK-së duke shprehur gatishmërinë e shtetit hungarez dhe forcave të armatosura të saj në mbështetjen e mëtejme të FSK-së në kuadër të kornizës së marrëveshjes bilaterale në mes dy ministrive respektive të mbrojtjes.
Nga ana e tij, gjeneral Rama, falënderoi për vizitën dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e deritashëm për sigurinë e përgjithshme të kontingjentit ushtarak të forcave hungareze në kuadër të KFOR-it.
Ai gjithashtu kërkoi ofrimin e eksperiencës e forcave të armatosura hungareze për procesin e tranzicionit të FSK-së. si dhe procesin integrues euroatlantik në NATO.
Ai gjithashtu e njoftoi se procesi aktual i tranzicionit është duke u zhvilluar për arritjen e aftësive dhe kapacitete operacionale me standarde të NATO-s në koordinim dhe transparencë të plotë me partnerët tanë.
Në fund të dy u pajtuan për intensifikimin e angazhimeve për implementimin e kornizës së marrëveshjes në fushën e arsimimit dhe stërvitjes, shkëmbimit të përvojave në menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e krizave, rrugën e integrimeve euroatlantike etj.