Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Zekeria Rexha” në Gjakovë, me rastin e nisjes së punës së gjeneratës së 6-të të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në këtë shkollë.
Nga aty, Nagavci premtoi më shumë përkrahje, duke thënë se vitin e ardhshëm do ta shtojnë numrin e asistentëve.
“Nga janari i këtij viti ne kemi 300 kuota për arsim të asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta, në mënyrë që vitin e ardhshëm t’i kemi së paku 500 asistentë të cilët do të ofrojnë mbështetje për fëmijët dhe familjet që i kanë fëmijët me nevoja të veçanta”, u shpreh ministrja Nagavci.
“Politikat jo vetëm në Kosovë po gjithandej në botë janë kryesisht drejtë integrimit, pra fëmijët të jenë të integruar në klasa në mënyrë që atyre t’u ofrohet hapësirën e potencialit të tyre. Jo gjithkund është vlerësuar i suksesshëm kur fëmijët janë të ndara në qendra të veçanta”, u shpreh ajo.