Gjenerata e parë e kadetëve të FSK-së festojnë 10-vjetorin e diplomimit

Prishtinë | 23 Sht 2019 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Kadetët e Gjeneratës së parë të Qendrës për Studime Universitare ( QSU ) tani më oficerë  të Forcës së Sigurisë të Kosovës ( FSK ) kremtuan sot 10- vjetorin e diplomimit të kësaj gjeneratë.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin: ministri i Mbrojtjes z. Rrustem Berisha, zëvendësministri z. Burim Ramadani, komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm z. Faruk Geci, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral Irfete Spahiu, gjeneralë të FSK-së, ish- komandantë të QSU-së, si dhe oficerë dhe kadetë të FSK-së.

Me këtë rast, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama:  “Forca e Sigurisë  e  Kosovës me sukses ka  arritur të zhvillojë sistem të rekrutimit, shkollimit dhe trajnimit të kuadrove të reja dhe se pikërisht sistemi i tillë serioz dhe i përkushtuar ka bërë që FSK-ja sot të krenohet me oficerët e rinj, si garantuese e vazhdimësisë së suksesshme të institucionit tonë. Qendra për Studime Universitare e FSK-së së shpejti do të jetë ndërkombëtare, ku do të kenë mundësi të shkollohen edhe kadetë nga shtetet mike dhe partnere, – u shpreh ndër  të tjera gjeneral Rama.

Gjithashtu edhe gjeneral Irfete Spahiu i  përgëzoi oficerët e FSK-së, të diplomuar para dhjetë vitesh si dhe të gjithë oficerët e rinj të diplomuar më pas, duke i porositur që të vazhdojnë të shërbejnë me nder, zell e përkushtim, ashtu siç edhe janë përgatitur dhe zotuar gjatë shkollimit të tyre.

Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti edhe  ish-komandanti i QSU-së z. Valon Ahmeti, njëri nga oficerët e parë të diplomuar në SHBA dhe ideator i atëhershëm për ngritjen e Qendrës për shkollimin e kadetëve për shërbim,  atëherë si oficerë në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, e pas vitit 2009 në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Gjatë kësaj ceremonie, u shfaq  edhe një dokumentar i  shkurtër me  disa momentet sfiduese të kadetëve, gjatë katër viteve të studimit në këtë Akademi, të cilat kanë ngelur ende në kujtesë të kadetëve të kësaj gjenerate.

Në nderim të shkollës së QSU-së, kadetët  kanë planifikuar të realizojnë “Javën e QSU-së” , e cila do të shënohet me ceremoni  dhe aktivitete  të  shumta  që do realizohen gjatë kësaj javë.

Hapja e kësaj jave u bë sot në  kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë,  ku u mbajt ceremonia kryesore e këtij manifestimi, në  të cilën të pranishëm ishin krerët e lartë të FSK-së si dhe mysafirë specialë, që kishin ardhur t’i nderojnë  kadetët e  Gjeneratës  së parë dhe QSU-në  në përgjithësi.

Më pas, të gjithë së bashku mbollën fidanë para Objektit të ri të Qendrës për Studimeve Universitare, në shenjë nderimi dhe respekti për të gjithë oficerët që kanë dalë dhe për ata  që janë duke dalë nga kjo qendër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme