Bastoret kryesore botërore janë duke e favorizuar dukshëm Gjeorgjinë kundër Kosovës, në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, e cila do të zhvillohet sonte në Batumi.
Njëra prej shtëpive më të mëdha të basteve, bet365, e sheh Gjeorgjinë si favorite pasi i ka vënë kuotën 2.45 për të fituar, derisa fitores së mundshme të Kosovës i vë kuotë të lartë, 3.1. Barazimi vlerësohet me kuotën 3, shkruan Gazeta Express.
Edhe shtëpitë e tjera të basteve e favorizojnë dukshëm kombëtaren sllovene përballë dardanëve.
Kombëtarja e Kosovës e viziton sot Arenën Batumi në orën 18:00, për t’u përballur me Gjeorgjinë në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit B kualifikues për Botërorin Katari 2022.
Dardanët do të përballen me disa mungesa në sulm, si Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova të lënduar dhe Milot Rashica i cili nuk është lejuar të udhëtojë drejt Gjeorgjisë nga klubi i vet Norwich City, për shkak se ky vend ndodhet në listën e kuqe të Britanisë së Madhe për vendet me rrezikshmëri të lartë nga infektimet me Covid-19.
Skuadra e Bernard Challandes u mposht nga Suedia dhe nga Spanja në dy ndeshjet e para në grup.
Challandes paralajmëroi para ndeshjes me Gjeorgjinë se Kosova duhet ta ndryshojë mentalitetin menjëherë, nëse dëshiron të ketë sukses. Ai këmbënguli se do të fliste me lojtarët për këtë me ton të ashpër.
Pas përballjes me Gjeorgjinë sot, verdhekaltrit do të rikthen në Prishtinë për dy ndeshjet e vështira ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8 shtator.
Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë.