Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka treguar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, pas deklaratës së tij për 24 hektarët e tokave të Manastirit të Deçanit.
Ai ka thënë se me kryeministrin ka biseduar për këtë punë, nëpërmjet telefonit.
“Unë pas vërtetimit tim që e kam bërë, që e kam dëgjuar pastaj… e vërtetova çka kam thënë, i thash kryeministrit që ndoshta është bërë një gabim…ngatërrova një fjalë me një fjalë tjetër”, ka thënë Rashiqi, derisa bisedën e mbrëmshme me Kurtin e quan komunikim normal.
Sipas tij, është normale të gabosh, sepse thotë se gabimet ndodhin.
Rashiqi e ka përshkruar veten si person që nuk gabon shumë dhe se zakonisht është i kujdesshëm sa i përket deklaratave që i jep. Por thotë se gjëra të çuditshme po ndodhin me trurin.
“Por duhet të kuptoni se nganjëherë po ndodhin gjëra të çuditshme edhe me tru, fiksohet një koncept në kokë dhe kur vjen koha pas tri vitesh që të tregoni saktë çka ka ndodh në atë moment, nuk është bash vështirë që ta qëlloni bash çdo herë çdo element dhe çdo detaj të vogël të gjitha këtyre proceseve. Në veçanti, këto tri vitet e fundit që konsideroj qenë po punojmë me një intensitet të lartë. Kështu që këto ndodhin”, ka thënë Rashiq në “T7”.