Në Gjermani shifrat e infektimeve po shënojnë shifra rekod. Të premten Instituti Robert Koch (RKI) bëri të ditur se janë regjistruar 48.640 infektime, kurse një ditë më parë u arrit një shifër rekord prej 50.196 të infektuarve me virusin Corona. Incidenca shtatëditore në vend ka arritur po ashtu një nivel tjetër rekord prej mbi 249 të infektuar në 100.000 banorë.
Si pasojë e përkeqësimit dramatik të gjendjes, Këshilli Gjerman i Etikës rekomandon që të rishikohet mundësia e vaksinimit të personave që punojnë në profesione të caktuara. “Duke pasur parasysh situatën aktuale, Këshilli tani rekomandon, pa asnjë votë kundër dhe me tre abstenime, rishikimin e shpejtë dhe marrjen e një vendimi për vaksinimin e detyrueshëm për personat që punojnë me grupet e rrezikuara nga virusi Corona”, kumtoi Komisioni, i cili është edhe këshilldhënës i qeverisë gjermane.
Ndryshimi dramatik i disponimit
Si koalicioni qeveritar në largim ashtu edhe koalicioni i mundshëm i socialdemokratëve, ekologjistëve dhe liberalëve e kanë refuzuar deri tani mundësinë e futjes së vaksinimit me detyrim. Por në popull mund të vërehet ndryshimi i disponimit. Në një sondazh të Institutit YouGov, të bërë me kërkesën e Agjencisë gjermane të lajmeve DPA, një shumicë e madhe e të anketuarve janë për vaksinim me detyrim. 44 përqind e të anketuarve janë të mendimit se vaksinimi me detyrim duhet të futet për të gjithë në Gjermani, me synim imunizimin kundër këtij virusi të rrezikshëm.
24 përqind të tjerë mendojnë se vaksinimi me detyrim duhet të futet për disa grupe të njerëzve që punojnë në profesione të caktuara, si personat që kujdesen për të moshuarit apo ata që punojnë në spitale. Ndërsa vetëm 27 për qind janë kundër vaksinimit të detyrueshëm në përgjithësi.
Edhe kjo dëshmon se në Gjermani ka ndryshuar shumë disponimi. Pak ditë pas vaksinimeve të para në fund të dhjetorit të vitit 2020, 56 përqind e të anketuarve nga YouGov ishin kundër vaksinimit të detyrueshëm, ndërsa vetëm 33 përqind ishin pro. Por asokohe nuk është kërkuar mendimi i të anketuarve për vaksinimin e grupeve të caktuara.
Problemet e politikës
Përkeqësimi i dukshëm i gjendjes dhe rekordete vazhdueshme të infektimeve me virusin Corona kanë shtuar presionet edhe ndaj politikanëve. Në vazhdën e negociatave për krijimin e koalicionit të ri qeveritar, Partia Socialdemokrate (SPD), Të Gjelbrit dhe liberalët (FDP) janë detyruar të rishqyrtojnë dhe ndryshojnë Ligjin për mbrojtje nga infeksionet.
Me këtë çështje po merret tani edhe Bundestagu. E për këtë çështje pritet të deklarohet edhe kandidati për kancelar Olaf Scholz. Scholz dhe partnerët e mundshëm në koalicionin e ardhshëm qeveritar janë akuzuar nga përfaqësuesit e partive CDU/CSU për reagime joadekuate ndaj situatës gjithnjë e më të vështirë me virusin Corona.
Kryetari i grupit parlamentar të liberalëve Marco Buschmann thotë: “Ne po ankorojmë masa në paketën e re të cilat deri tani nuk kanë ekzistuar fare”. Partnerët e mundshëm kanë bërë të ditur se me 25 nëntor nuk do të vazhdojnë gjendjen epidemiologjike në gjithë vendin – që është në kundërshtim me vullnetin e kancelares në detyrë Angela Merkel (CDU) dhe kryeministrit të Bavarisë Markus Söder (CSU), por edhe të shumë politikanëve të tjerë të Unionit. Përfaqësuesit e koalicionit të ri të mundshëm duan të fusin rregulloren 3G në vendin e punës (pra që në vendin e punës të mund të shkojnë vetëm personat e vaksinuar, shëruar në gjashtë muajt e fundit apo të testuar). Duan të fusin detyrimin e testimeve për personat që punojnë në shtëpitë e të moshuarve si dhe kthimin e testeve falas për qytetarët.